Mes gallatës për Bashën dhe debateve, 40 deputetë të opozitës bëhen bashkë

Parlamenti nisi punimet sot në një seancë të shkurtër prej 30 minutash ku nuk munguan të qeshurat, sarkazmat dhe debatet e forta.

Në fillim të seancës plenare, interesi më i madh ishte mbi sjelljen e opozitës. Por seanca e sotme që do të dukej si formale në fakt zbuloi lëvizjet e radhës të opozitës.

Gazment Bardhi dhe Sali Berisha do të unifikojnë forcat e tyre me rreth 40 deputetë duke qenë opozita kryesore e vendit ndërsa Partia Demokratike zyrtare me Lulzim Bashën nuk do ketë më shumë se 10 deputetë.

Por që në nisje të seancës, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla lexoi njoftimin se Lulzim Basha do të jetë kreu i ri i grupit parlamentar të PD, sipas vendimit të Kuvendit të partisë së Bashës, ç’ka në Kuvendin e Shqipërisë shpërthyen të qeshurat dhe sarkazmat. Qartazi, Basha ka mbështetjen e fortë të maxhorancës ç’ka të qeshurat e deputetëve të opozitës u kthyen në sarkazëm dhe akuza.

Basha dhe Bardhi, të ulur pranë njëri tjetrit, nisën një debat të fortë verbal jashtë mikrofonave. Më herët, jashtë Kuvendit, Bardhi kishte ironizuar vetëshpalljen e Bashës si kryetar i grupit parlamentar të opozitës. “Basha do duhet të fitojë besimin e 18 kolegëve, vota e 19 pro tij do të jetë e Gazment Bardhit.”, tha ai.

Teksa Basha lidhi gjuhën, Bardhi doli edhe në fortoren e Kuvendit. “Ta harroni se do vijë dita që kryetarin e grupit parlamentar të PD-së ta zgjedheë Partia Socialiste. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në këtë Parlament të lexosh njoftimet e partive politike. Në këtë sallë ka deputetë të Kuvendit dhe janë deputetët e PD-së që vendosin se kush është kryetari i grupit parlamentar të PD-së. Kuptoj që dikush ka vendosur të bëhet qesharak, por mos provokoni deputetët e opozitës. Kuvendi ka përbërjet në grupet parlamentare. Erion Veliaj dhe Edi Rama nuk e caktojnë dot kryetarin e grupit parlamentar të PD-së”, tha Bardhi.

I ashpër ishte edhe Berisha në Kuvendin e Shqipërisë. “Ky parlament është turpi i historisë. Për herë të parë një parlament voton për dyfishim të rrogave të deputetëve ndërkohë që lë në mjerim në gomome në varfëri ekstreme qytetarët. Sepse kur psikologjinë ndërgjegjen llogjikën ta ndikon krimi ke humbur çdo llojë mundësie për të arsyetuar”, tha Berisha.

Jashtë seancës, për mediat, Berisha konfirmoi pranimin e ftesës së Gazment Bardhit për një takim të të gjithë deputetëve të opozitës nëser pasdite. “Po do të marrim pjesë. Ne shkojmë aty dhe do të marrim pjesë. Edhe ftesën e konsiderojmë hap pozitiv dhe ne do të marrim pjesë”, tha Berisha.

Kjo lëvizje e Bardhit dhe Berishës krijon formacionin më të madh të opozitës që pas konflikit të madh të saj të brendshëm. Kështu, me deputetët mbështetës, Bardhi dhe Berisha, së bashku me disa aleatë, do të kenë afërisht 40 deputetët në krahun e tyre. Ende nuk ka detaje për mënyrën e organizmit, por mësohet se në krye të deputetëve do të qendrojë Gazment Bardhi ndërsa Berisha do të dominjë sërish politikisht këtë lëvizje, e cila nën kushtet kur vula e PD i mbetet Bashës, do të duhet të marrë një emër të ri.