Merr fund deliri i Ramës me Shpiragun, Shell konfirmon zyrtarisht dështimin e kërkimeve për naftë

Gjigandi ndërkombëtar i hidrokarbureve Shell ka konfirmuar tashmë zyrtarisht dështimin e kërkimeve për naftë në Shpirag duke paralajmëruar tërheqjen e saj nga ky vendburim.

Që prej muajit shkurt në media ishte raportuar se zbulimi i Shpiragut po shkonte drejt dështimit por nuk pati asnjë reagim nga qeveria dhe as nga kompania Shell.

Në raportin e rezultateve për tremujorin e parë të këtij viti, kompania raporton se do të fshijë nga regjistrat e saj mbi 600 milionë dollarë shpenzime kërkimi, kryesisht në Shqipëri.

“Për tremujorin e parë, fshirjet e kërkimit të puseve pritet të jenë 0.6 miliardë dollarë, kryesisht në Shqipëri,” deklaroi kompania në përditësimin e rezultateve financiare për tremujorin e parë të vitit.

“Zbulimin” për naftën në Shpirag e dha kryeministri Edi Rama, i cili me bujë të madhe doli para shqiptarëve në një ditë të nxehtë gushti të një viti më parë.

Rama bashkë me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Ballaku thanë se cilësia e naftës ishte premium si ajo e Arabisë Saudite dhe se do të ndryshonte ekonominë e vendit tonë. Madje sipas kreut të qeverisë, do ta bënte Shqipërinë fuqi ekonomike në këtë rajon. Propaganda e tij vijoi edhe më tej duke thënë se nafta në Shpirag do ketë impakt direkt tek pensionet, sistemi arsimor e shëndetësor.

“Nafta e zbuluar është e cilësisë më të lartë. Është hera e parë që kjo ndodh në vendin tonë sepse burimet e naftës që janë zbuluar në të shkuarën dhe që janë shfrytëzuar dhe shfrytëzohen akoma siç është për shembull, Patos – Marinza, janë burime të një nafte të rëndë që si e tillë përdoret për bitum, solar, por nuk është një naftë që mund të hyjë në konsumin e automjeteve dhe vlera e saj është shumë modeste. Ndërkohë që sipas analizave të bëra bën laboratorin e Holandës, nafta e zbuluar në zonën e Shpiragut është një naftë e të njëjtës cilësi me naftën premium të Arabisë Saudite”- tha me krenari kreu i qeverisë në konferencën për shtyp.

Por gjithë ky entuziazëm i qeverisë dhe ekipit të tij nuk zgjati shumë dhe propagandës së Ramës i erdhi fundi. Edhe pse duhet thënë nuk është hera e parë.

Dhe gjithë delirit dhe teatrit të Ramës i erdhi fundi dhe këtë e konfirmon zyrtarisht edhe vetë kompania Shell. Nuk dihet nëse do të ketë një reagim nga qeveria apo e gjitha kjo do të kalojë në heshtje.

Vlen të theksohet se kompanitë e naftës shpenzojnë miliarda dollarë për kërkimin e vendburimeve të reja duke mbledhur të dhëna sizmike dhe duke shpuar puse për të zbuluar vendburime të reja naftë dhe gazi. Por kur kërkimet dështojnë ose puset rezultojnë të paleverdishme, kompanitë i fshijnë ato nga regjistrat e tyre kontabël.

Raporti i Shell