Memli Krasniqi jep dorëheqjen nga drejtimi i PDK-së

Memli Krasniqi ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Lajmin e bëri të ditur gjatë një konference për mediat.

“Një parti që beson në zhvillim, duhet të besojë edhe në ripërtëritje. Një lidership që kërkon ndryshim për Kosovën, duhet të ketë guximin të krijojë hapësirë për ndryshim brenda vetes. Prandaj, kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.”

Krasniqi tha më tej se ky vendim nuk lidhet me zhvillimet e fundit.

“Ky vendim nuk është i momentit e as i zhvillimeve të fundit. Është reflektim mbi atë se çka i duhet PDK-së në fazën e ardhshme. Nuk është vendim prej lodhjes apo zhgënjimit – por prej dashurisë për partinë time. E bëj këtë me paqe në shpirt dhe me dashuri në zemër. Dashuri për PDK-në. Dashuri për Kosovën.”

Krasniqi tha se ka qenë nder për të që të udhëheq Partinë Demokratike të Kosovës, duke shtuar që së bashku kanë kaluar shumë sfida. Dorëheqja e tij vjen pesë muaj pasi ai ishte rizgjedhur në krye të partisë për një mandat të dytë në qershor.