Megaoperacioni i SPAK, shpallet në kërkim ish-shefi i Policisë Lezhë dhe dy efektivë

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me megaoperacionin e SPAK, që ka lëshuar dhjetëra urdhër-arreste për anëtarë të grupeve kriminale, pas transkriptimit të bisedave në aplikacionin “SKY”.

Mësohet se janë lëshuar urdhër-arreste për Ergent Mitrin, ish-drejtuesin e Policisë Lezhë, i cili aktualisht është specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në kërkim janë gjithashtu efektivi Klodian Jashari dhe Altin Morina, ky i fundit ish-efektiv i RENEA-s.

Më herët në pranga kanë rënë Armando dhe Elvis Ndreca, vëllai dhe djali i xhaxhait të deputetit të Partisë Socialiste, Eduart Ndreca.

Ndërkohë, ish-deputeti Arben Ndoka është shpallur në kërkim, teksa vëllait të tij, Xhevi Ndokës, i është komunikuar masa e sigurisë në qeli, pasi është i dënuar nga GJKKO për shkak të tjetërsimit të 234 mijë metra katrorë tokë në zonën e Ranës së Hedhun.

Urdhër arrest është lëshuar edhe për Lulzim Berishën, ish-kreun e bandës së Durrësit, i cili rezulton i arrestuar më 14 dhjetor 2023 në Spanjë. Përveç tij, urdhër-arrest është lëshuar edhe për një person tjetër që ndodhet në Spanjë.

Urdhër-arreste janë lëshuar edhe për 2 vëllezërit, Leonard dhe Erlis Duka, të cilët njihen si kundërshtarë të Ervis Martinaj. SPAK ka ushtruar kontrolle edhe në banesat e tyre, por të dy vëllezërit nuk ndodhen në Shqipëri.

Në kërkim janë shpallur edhe vëllezërit Avdylaj, ndërkohë që janë lëshuar urdhër arreste edhe për dy vëllezërit Durim dhe Valter Bami.

Në pranga ka rënë edhe biznesmeni nga Shkodra, Mir Bruli, i afërm i biznesmenit Pëllumb Gjoka, i arrestuar në dosjen “Metamorfoza”.