Irani ka lëshuar gjashtë raketa drejt bazave amerikane në Katar, ka thënë një zyrtar izraelit për Axios, shkruan Reuters.
Më herët u raportua se Katari ka pezulluar përkohësisht trafikun në hapësirën e tij ajrore.
Në një postim në mediat sociale nga Ministria e Jashtme e vendit, thuhet se kjo është pjesë e një sërë masash paraprake që po merren bazuar në zhvillimet në rajon.
Katari është shtëpia e bazës më të madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, Bazës Ajrore Al Udeid. Rreth 8,000 qytetarë amerikanë jetojnë atje, sipas Departamentit të Shtetit.
Po ashtu, televizioni shtetëror iranian ka njoftuar se Irani ka nisur një operacion ndaj bazës amerikane në Katar, transmenton CNN.
Media shtetërore iraniane ka njoftuar se Irani ka filluar përgjigjen e tij “të fuqishme dhe fitimtare” ndaj sulmeve amerikane mbi objektet bërthamore. Agjencia shtetërore Tasnim raporton se Garda Revolucionare e Iranit lëshoi raketa në bazat amerikane në Katar dhe Irak.