Media publike gjermane akuzohet për keqinformim mbi viktimat e Fukushimës

Në përvjetorin e 15-të të tërmetit dhe cunamit shkatërrues të vitit 2011 në Japoni, disa media publike gjermane janë kritikuar për keqinterpretim të numrit të viktimave, duke i paraqitur pothuajse 20 mijë të vdekurit si pasojë të katastrofës bërthamore në Fukushima.

Sipas autoriteteve japoneze, vetëm një vdekje është lidhur zyrtarisht me incidentin në centralin bërthamor Fukushima Daiichi.

Më 11 mars 2026, transmetuesi rajonal gjerman Bayrischer Rundfunk, pjesë e rrjetit publik ARD, publikoi në seksionin e lajmeve se “Japonia përkujton viktimat e katastrofës bërthamore të Fukushimës”, duke shtuar se “në të gjithë vendin njerëzit vendosin lule dhe kurora për rreth 20 mijë të vdekurit”.

Ky formulim ka ngjallur reagime nga ekspertët e energjisë bërthamore. Shkrimtarja dhe studiuesja gjermane e shkencës Anna Vero Wendland e akuzoi transmetuesin publik për përhapje të “dezinformimit ose nxitje të frikës”.

Sipas kritikëve, nuk është hera e parë që media publike gjermane lidh viktimat e cunamit me katastrofën bërthamore. Në vitin 2023, emisioni kryesor i lajmeve i ARD, Tagesschau, shkroi në faqen e tij se katastrofa e Fukushimës “mori jetën e rreth 18,500 njerëzve”, ndërsa një raportim i vitit 2017 nga rrjeti MDR, gjithashtu pjesë e ARD, përmendte të njëjtin numër viktimash në kontekstin e katastrofës bërthamore.

Tërmeti me magnitudë 9.0 që goditi Japoninë më 11 mars 2011 shkaktoi një cunami të fuqishëm që goditi bregdetin lindor të vendit. Valët shkatërruan më shumë se 120 mijë ndërtesa dhe dëmtuan gati një milion të tjera, duke shkaktuar afro 20 mijë viktima.

Përmbytjet shkaktuan gjithashtu ndërprerje të energjisë në centralin bërthamor Fukushima Daiichi, rreth 200 kilometra në veri të Tokios. Dështimi i sistemeve të ftohjes çoi në shkrirjen e bërthamës në tre nga gjashtë reaktorët e centralit.

Megjithëse pati rrjedhje materialesh radioaktive dhe u evakuuan përkohësisht më shumë se 150 mijë banorë, vetëm një vdekje është atribuar zyrtarisht incidentit bërthamor: një punonjës që vdiq nga kanceri në vitin 2018.

Disa analistë sugjerojnë se mënyra e raportimit mund të ketë edhe dimension politik. Pas katastrofës së Fukushimës, ish-kancelarja gjermane Angela Merkel vendosi për heqjen graduale të energjisë bërthamore në Gjermani.

Vendi mbylli centralet e fundit bërthamore në vitin 2023. Kritika të ndryshme argumentojnë se kjo ka kontribuar në rritjen e çmimeve të energjisë dhe rritjen e varësisë nga burime fosile si qymyri dhe gazi.

Ndërkohë, Japonia ka rikthyer gradualisht në funksion një pjesë të centraleve të saj bërthamore. Deri në mars 2026, 15 reaktorë kanë kaluar standardet e reja më të rrepta të sigurisë dhe janë rikthyer në prodhim energjie.