Efekti “Shqipëri” si destinacion veror duket se po zbehet. Më saktë, Shqipëria nuk po tërheq më atë pjesë të turistëve italianë që vitet e fundit e zgjodhën si vend pushimi për shkak të kostos së ulët dhe bukurive natyrore përtej Adriatikut.
“Që në fund të sezonit të kaluar vumë re një rënie të parë të interesit”, shpjegon Michele Viola, drejtues i operatorit turistik italian Goodays. “Por në vitin 2025 kjo tendencë është përforcuar ndjeshëm: shumë pak persona kërkojnë të rezervojnë pushime në Shqipëri dhe grupet e organizuara po preferojnë destinacione të tjera.”
Sipas të dhënave të kësaj agjencie me bazë në Bari, numri i italianëve që udhëtojnë drejt Shqipërisë ka rënë ndjeshëm krahasuar me tre vite më parë, kur fluksi ishte në rritje me rreth 30% falë përballueshmërisë ekonomike dhe natyrës së pasur shqiptare. “Duhet të jemi realistë,” shton Viola, “të ardhurat e familjeve italiane po pakësohen dhe pushimet po bëhen luks. Dikur Shqipëria ofronte një raport çmim–shërbim të favorshëm, por tani kjo balancë nuk funksionon më.”
Viola thekson se agjencia e tij po orienton gjithnjë e më shumë klientët drejt tureve të organizuara në Egjipt, Dubai dhe Spanjë, ndërsa ata që zgjedhin të mos udhëtojnë jashtë, po qëndrojnë në Pugli, duke shfrytëzuar fundjavat në bregdet dhe akomodimin në struktura si bed&breakfast.
Nga ana tjetër, Massimo Salomone, koordinator për turizmin pranë Confindustria Puglia, thotë se megjithëse Shqipëria ka shënuar rritje si destinacion, mbështetur nga investime të shpejta infrastrukturore dhe një burokraci më e thjeshtë, përfytyrimi si destinacion “low-cost” është shpesh i gabuar. “Shërbimet, transparenca e çmimeve dhe cilësia e ofertës turistike në Shqipëri kërkojnë ende shumë kujdes,” thekson ai. Sipas Salomone, qëllimi nuk është të krijohet konkurrencë, por sinergji pozitive mes Shqipërisë dhe Puglias, që ndajnë Adriatikun dhe një trashëgimi të përbashkët kulturore.
Në fund, mbetet i dukshëm ndikimi i rritjes së çmimeve, veçanërisht tek klasa e mesme. “Klientët që ishin të gatshëm të toleronin shërbime mesatare në këmbim të një çmimi të favorshëm, sot nuk e gjejnë më këtë motivim,” thotë Piero Innocenti, përfaqësues i Fiavet Puglia. “Çmimet në Shqipëri janë rritur dhe kjo po i largon turistët – njësoj si në Kroaci apo Mal të Zi. Greqia, përkundrazi, vazhdon të qëndrojë konkurruese.”
Ndërkohë, segmenti i udhëtimeve me kroçiera po shënon sukses edhe në muajt shtator dhe tetor, ndërsa turizmi në Pugli po vijon në të njëjtin nivel si një vit më parë, i ndihmuar edhe nga linjat ajrore që e lidhin rajonin me tregjet ndërkombëtare./Corriere Della Sera