“Nuk e kemi më vulën”! Kështu u shpreh Jemin Gjana, kryetari i KQZ-së së Partisë Demokratike, falë të cilit Lulzim Basha ka fituar çdo betejë brenda partisë, por edhe ka humbur çdo luftë përballë Edi Ramës.
Një situatë sa komike aq edhe tragjike në një nga partitë më të mëdha në Shqipëri, që kërkon të rrëzojë PS-në nga pushteti, por që nuk ka as me çfarë të vulosë dokumentet zyrtare që dalin nga selia e saj. Vetëm pak muaj më parë Gjykata e Apelit do të vendoste që vulën e Partisë Demokratike t’ja linte Enkeljd Alibeajt, kryetarit të vedosur nga Lulzim Basha, ndërkohë që grupi i “Rithemelimit” do të privohej të futej në zgjedhjet e 14 Majit me logon e PD-së.
PD-e vulës pas 4 ditësh do të zhvillojë zgjedhjet për kryetarin e ri, por vendimin do ta firmosë me një tjetër vulë, dhe jo me atë që e morën pas vendimit të Apelit. Sot Jemin Gjana tha se PD do të prodhojë një vulë tjetër.
Humbja e vulës është e shumë pak në krahasim me humbjen e anëtarëve të PD-së në listat për zgjedhjet e kryetarit të ri të PD-së. Sipas Gjanës, do të jenë rreth 25 mijë anëtarë të PD-së që do të votojnë për kryetarin e ri, që do të thotë gati sa 1/3 e atyre që votuan në zgjedhjet e kaluara.
Gjana u justifikua se këta anëtarë janë hequr nga lista për shkak se mbështesin “Rithemelimin”, por a nuk janë demokratë edhe deputetët e Rithemelimit? A nuk votohen nga demokratët edhe ata? Me heqjen e këtyre demokratëve, Jemin Gjana po përpiqet që të rrisë sa më humë përqindjen e votuesve në zgjedhje, në mënyrë që t’i japë sërish fitoren Lulzim Ballës me mbi 80% të votave, por me pjesëmarrje të konsiderueshme.
Në fund, do të vulosë me vulën e re. Pra, gjatë gjithë këtyre muajve PD e drejtuar nga Alibeaj nuk paska qenë partia e vulës, por partia e vulës së humbur. Ata që e kanë drejtuar janë vulëhumburit e kësaj partie!