Jemin Gjana zbulon se vula e vërtetë e PD ka humbur

Situata me vulën e Partisë Demokratike duket se po kthehet çdo ditë në qesharake. Ndërsa dje u zbulua një vendim i fshehtë i kryesisë së PD zyrtare, ku ndryshonte vulën, për të ndalur aksionin e Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi të mbledhë Këshillin Kombëtar, sot, në një dalje publike, Jemin Gjana pranoi një version tjetër qesharak.

Në detyrë si kryetar i KQZ-së së partisë zyrtare, Gjana tha se në fakt ata nuk e kanë pasur kurrë vulën. Sipas tij, vula e partisë ka qendruar në zyrën e protokollit të partisë në selinë qendrore të saj, dhe kur godina u mor nga grupi i Rithemelimit të Sali Berishës, askush nga PD zyrtare nuk u kujdes ta marrë në xhep.

“A e dini pse e morëm vendimin në 18 korrik? Sepse po vinte momenti që të firmosnim dokumentacionin dhe rezultoi se vula e marrë tek arkivi, tek selia e Partisë Demokratike, që sot është seli e rithemelimit, rezultoi se nuk kishim më vulë. Dhe natyrisht që do prodhonim një vulë. Më duket e rëmdomtë që dikush të largohet me vulën në xhep. Vula rri në institucionin e partisë. Më vjen keq që Bardhi shkoi në këtë veprim që të thotë vulën e kam unë, s’besoj se e ka thënë ai. Fakti që vula nuk është këtu se di kush e ka, do prodhojmë një vulë tjetër”, tha Gjana në një dalje për mediat.

Gjana tha më tej se ata do prodhojnë një vulë tjetër e madje u shpreh u vendosur se do bëhen zgjedhjet për kryetarin e PD zyrtare në datën 29 korrik, duke shtuar se kanë një liste me 25 mijë anëtarë që nuk bëhen publike.