Më shpejt se sa pritej, TikTok do të mbyllet më 13 Mars

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka kërkuar zyrtarisht mbylljen e aksesit të TikTok në vendin tonë, pas vendimit të qeverisë.

Në një e-mail të dërguar të gjitha subjekteve ISP kërkohet që të bllokojnë aksesin e TikTok deri me datë 13 Mars. AKEP bazohet në urdhrin e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se TikTok do të mbyllet për një vit ndërsa shtoi se janë në bisedime shumë pozitive me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri për të paraqitur një sërë masash për rritjen e sigurisë për fëmijët.

NJOFTIMI I AKEP:

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) me shkresën nr. 1196 prot., datë 10.03.2025 (administruar në AKEP me nr. 359/2 prot., datë 10.03.2025), ka kërkuar marrjen e masave të nevojshme për bllokimin e aksesit në aplikacionin TIK TOK dhe infrastrukturën e tij digjitale në territorin shqiptar, duke ndërmarrë veprimet e mëposhtme:

Bllokimi i IP-ve të TikTok në territorin e Shqipërisë.
Bllokimi i DNS-ve te TikTok në territorin e Shqipërisë.
Bllokimi i SNI (Server Name Indications) të TikTok në territorin e Shqipërisë.
Bllokimi i IP-ve të kompanisë ByteDance në territorin e Shqipërisë.
Në shkresën e AKSK-së citohet baza ligjore (Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 151 datë 6.3.2025) dhe listën e të gjitha IP-ve dhe domaineve, për të cilat kërkohet bllokimi i aksesit.

Bazuar në germën ç), të pikës 2 të nenit 30 të ligjit nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” dhe germës e), pika 1, të nenit 9, si dhe pikës 9 të Aneksit E, të Rregullores së AKEP nr. 47 datë 26.10.2017 “Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm”, çdo operator/sipërmarrës që ofron shërbime/rrjete të komunikimeve elektronike sipas regjimit të autorizimit të përgjithshëm, duhet të respektojë kufizimet e transmetimeve të përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme nga AKSK.

Për sa më lart, ju përcjellim shkresën e AKSK-së.

Gjithashtu, secili sipërmarrës (ISP), duhet te paraqese konfirmim me shkrim në AKEP dhe për dijeni AKSK, për mbylljen e aksesit IP-ve dhe domaineve të cituara në shkresën e AKSK, brenda datës 13 mars 2025.