Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka deklaruar se presidentja Vjosa Osmani, e ka shkarkuar nga pozita e ambasadorit për qëllime politike.
“Kam qenë ambasador i Republikës së Kosovës dhe jam largu dhunshëm, brutalisht dhe politikisht nga e ashtuquajtura presidente Osmani për qëllime politike, sepse në vend timin e ka dërgu burrin e saj”, ka thënë Dedaj.
Dedaj ka deklaruar se ka shërbyer në disa poste publike, përfshirë deputet, ministër, dhe ambasador.
Por ndaj kësaj deklarate ka reaguar këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina. Këshillati i Osmanit ka deklaruar se ish-ambasadori ka kërcënuar me jetë Kreun e Shtetit dhe familjen e saj. Ai shprehet se bashkëshorti i Presidentes Osmani nuk ka qenë dhe as nuk është emëruar si ambasador, duke shtuar se deklaratat e tij janë gënjeshtra që i përdor si mjet viktimizimi.
“Gjergj Dedaj paska zgjedhur Gjykatën Speciale për të përhapur gënjeshtra lidhur me Presidenten Osmani, duke e quajtur me të njëjtat fjalë sikurse Serbia. Presidentja Osmani nuk është “e ashtuquajtur”, siç e cilëson Serbia dhe ti Gjergj, por ka më së shumti legjitimitet në historinë e Kosovës.
Ti e di këtë, por s’të pëlqen ky fakt. Prandaj sot e bëre atë që di më së miri: gënjeve.
Së pari, Presidentja Osmani nuk të ka hequr ty për ta emëruar bashkëshortin e saj. Të hoqën shkeljet e tua. Së dyti, bashkëshorti i saj as nuk ka qenë e as nuk është ambasador, ndaj ti jo që s’e di, por ama të pëlqen gënjeshtra si mjet viktimizimi. Ti je veç një përfitues nga gënjeshtra!
Ne ende jemi në pritje të drejtësisë për kërcënimet me jetë që i ke bërë publikisht ndaj Presidentes dhe familjes së saj”, shkruan Bekim Kupina.