Me presione dhe tentativa për marrëveshje, kompania “One Albania” do të largojë nga puna 10% të punonjësve

One Albania, një nga operatorët më të mëdhenj të telefonisë dhe internetit në Shqipëri, është futur në një vorbull skandalesh që e kanë vendosur kompaninë në qendër të vëmendjes mediatike dhe të institucioneve ligjzbatuese.

Nga lidhje të dyshuara me pushtetin lokal, tek shmangia fiskale, sulmet kibernetike dhe trajtimi jo i duhur i abonentëve, rasti i “One Albania’ po shihet si një shembull i mënyrës se si kompanitë e mëdha mund të ndikojnë apo të përfitojnë nga mungesa e kontrollit të institucioneve.

Ndërkohë, mes gjithë këtyre skandaleve që është përfshirë, “One Albania” ka nisur një proces të brendshëm reduktimi të stafit, që përfshin rreth 10% të punonjësve, shumica prej të cilëve profesionistë me eksperiencë të gjatë në këtë kompani.

Sipas burimeve të brendshme, disa prej punonjësve janë detyruar të firmosin marrëveshje “vullnetare” për largim nga puna, ndërsa një pjesë tjetër, përfshirë drejtorë e përgjegjës departamentesh, po përballen me presione të vazhdueshme dhe lëvizje të qëllimshme për t’i detyruar të largohen.

Kjo do të thotë se qindra punonjës do të ngelen pa punë, duke sjellë vështirësi ekonomike në qindra familje, në një kohë që varfëria në vendin tonë vijon të rritet çdo ditë.

Ky largim i punonjësve po mundohet të mbahet e fshehtë nga kompania “One Albania”, pasi deri më tani nuk ka qarkulluar asnjë lajm i tillë, për shkak edhe të presioneve të kompanisë mbi punonjësit që po i detyron të largohen nga puna.

Por ky nuk është skandali i parë i “One Albania”, më poshtë keni të tjera skandale të kompanisë:

Skandali me kryebashkiakun Veliaj,  klientelizëm dhe konflikt interesi

Në qendër të një prej skandaleve më serioze që e përfshiu “One Albania” është marrëdhënia financiare me kompaninë “Gogel shpk”, në pronësi të Arbër Veliajt, vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Sipas investigimeve të publikuara në media

“One Albania” i ka paguar kësaj kompanie shuma të konsiderueshme për “shërbime marketingu”. Ndërkohë, në të njëjtën periudhë kohore, kompania ka fituar disa tendera publikë nga Bashkia Tiranë, si:

Projekt për vendosjen e rrjetit optik me vlerë mbi 74 milionë lekë të reja

Tender për sistemin e monitorimit të trafikut me vlerë 41.6 milionë lekë të reja

Mashtrimet fiskale dhe bilanci me humbje fiktive prej 125 milionë euro

Një tjetër çështje që ka shkaktuar reagime të forta publike është deklarimi i bilancit financiar 2023, ku “One Albania” ka raportuar një humbje prej 125 milionë euro. Dyshimet e ngritura janë se këto humbje janë të fryra qëllimisht, me qëllim shmangien e taksave të larta që do të duheshin paguar në rast të një bilanci të saktë financiar.

Për më tepër, rezulton se kompania ka përfituar përjashtime nga TVSH-ja, tatimi mbi fitimin dhe taksat doganore për një periudhë 3-vjeçare, pa ndonjë dokument zyrtar transparent që të justifikojë këtë vendim.

Edhe më shqetësues është fakti se, sipas burimeve të brendshme nga tatimet, janë lëshuar 8 njoftime për detyrime tatimore ndaj “One Albania” në vlerë prej 11.8 milionë euro, por këto janë tërhequr në mënyrë të pashpjeguar më pas, që ngre dyshime për ndërhyrje politike në sistemin fiskal.

Skandali kibernetik, të dhënat e mbi 1 milion abonentëve në duart e hakërreve

Në fund të vitit 2023, “One Albania” u përball me një sulm masiv kibernetik nga grupi iranian “Homeland Justice”. Hakerët sulmuan serverët e kompanisë dhe njoftuan se kishin arritur të vjedhin dhe fshijnë të dhëna personale të mbi 1.2 milion përdoruesve.

Pavarësisht rëndësisë së këtij incidenti, “One Albania” nuk informoi në mënyrë të plotë klientët për llojin e të dhënave të komprometuara dhe nuk mori përgjegjësi publike. Ky incident tregoi se “One Albania” nuk ka protokolle të forta për menaxhimin e krizave, duke rritur shqetësimet për sigurinë kibernetike të klientëve të saj.

Incidenti i fshehur brenda zyrave të kompanisë

Një tjetër skandal që nuk mori vëmendjen e duhur ishte hyrja e dy personave të maskuar në ambientet e “One Albania” në dhjetor 2024. Ngjarja ndodhi gjatë orëve të vona të natës, por nuk u raportua në polici, as nga rojet, as nga drejtuesit e kompanisë.

Kjo fshehje e ngjarjes çoi në hetim penal për 8 punonjës, të cilët u proceduan për moskallëzim të krimit dhe pengim të hetimeve. Mënyra se si u menaxhua situata tregon për mungesë të theksuar të përgjegjësisë nga ana e kompanisë dhe tentativë për të shmangur hetimet.

Ankesat masive për shërbim të dobët dhe sjellje joetike ndaj konsumatorëve

Një pjesë e rëndësishme e pakënaqësisë ndaj “One Albania” vjen nga vetë qytetarët, të cilët prej kohësh shprehin kritika të forta në rrjete sociale. Disa nga problemet më të shpeshta janë: Ndërprerje të shpeshta të shërbimit të internetit dhe telefonisë;,Tarifa të fshehura dhe ndryshime të paautorizuara në kontrata; Mungesë transparence dhe vonesa në zgjidhjen e ankesave; Sjellje arrogante nga shërbimi ndaj klientit./Ditar.al