Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese, ku sot do të zhvillohet seanca gjyqësore lidhur me ankimimin e tij për shkarkimin nga detyra dhe dekretin e presidentit Bajram Begaj.
Me pranga në duar, Veliaj, u fut brenda ambienteve të Gjykatës Kushtetuese i shoqëruar nga forcat e policisë, ndërsa kjo është paraqitja e parë publike pas 9 muajsh i izoluar në paraburgimin e Durrësit.
Në hyrje të Gjykatës Kushtetuese, ai përshëndeti gazetarët që ndodheshin jashtë ambienteve të gjykatës.
Në seancën e sotme do të shqyrtohen dy ankimimet e Veliajt, ajo për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet në Tiranë dhe shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij.
Qeveria e shkarkoi Veliajn më 25 shtator, duke u mbështetur në nenin 62 të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, pasi ai nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj.
Por ish-kryebashkiaku e ankimoi shkarkimin e tij në Gjykatën Kushtetuese, dhe kjo e fundit vendosi më pas pezullimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës më datë 9 Nëntor.
SPAK e akuzon Veliajn për korrupsion në 9 raste e kryer në bashkëpunim, pastrim parash, fshehje pasurie, futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara dhe shpërdorim detyre.
Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion në 9 raste e kryer në bashkëpunim, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehja e të ardhurave.
Pjesë e kësaj dosje janë edhe 28 persona e shoqëri, mes tyre edhe socialistja Klotilda Bushka, e cila akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” si dhe biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Sokol Kryeziu dhe Mirton Lika