Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ndodhet në Uashington, D.C., me ftesë të Departamentit Amerikan të Shtetit, si pjesë e programit për liderët e rinj europianë. Ky program ofron një mundësi të veçantë për politikanët e rinj që të njohin nga afër funksionimin e sistemit federal amerikan, të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi mes vendeve.
Gjatë qëndrimit prej tre javësh në SHBA, Kapri do të zhvillojë takime me zyrtarë të ndryshëm dhe do të takohet me përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilët i vlerëson për rolin e tyre në shoqërinë amerikane dhe i sheh si shembull frymëzimi se gjithçka mund të arrihet me punë.
Një tjetër moment i rëndësishëm është bashkëpunimi me Institutin Republikan Amerikan (IRI), nga i cili Partia Mundësia po merr mbështetje për të forcuar projektin politik me theks në vlerat perëndimore si ekonomia e lirë dhe shteti i vogël.
“Me mbështetjen e miqve tanë nga Instituti Republikan Amerikan (IRI), Partia Mundësia po forcon përvojën për ta çuar më tej projektin tonë politik. Duhet t’i rikthehemi vlerave perëndimore për ekonomi të lirë, shtet të vogël dhe mundësi për të gjithë. Vetëm kështu çdo familje shqiptare mund të rrisë mirëqenien e saj. Qeveria nuk mund të vendosë kush pasurohet, këtë duhet ta bëjë puna, talenti dhe sipërmarrja. Faleminderit Stephanie Roland dhe Isabelle Craber nga zyrat qendrore të IRI në Washington, DC, për mbështetjen dhe frymëzimin”, shkruan Kapri pas takimit me zyrtarët e IRI-t.
Gjatë vizitës në SHBA, ai ka nderuar edhe figurën e Kardinalit Ernest Simoni Troshani, i cili në moshën 96-vjeçare vazhdon të shërbejë si frymëzim për shqiptarët dhe është ftuar nga Shtëpia e Bardhë për të mbajtur një lutje.
Kapri ka vizituar gjithashtu Bibliotekën e Kongresit, më të madhën në botë me 160 milionë libra, i shoqëruar nga Ian Kenny, drejtues i Institutit John Adams.
Kjo vizitë për Erald Kaprin përbën një përvojë të rëndësishme profesionale, që mund të ndikojë në mënyrën e qasjes ndaj sfidave dhe mundësive në politikën shqiptare.
