“Më dëmtoi imazhin”, mësuesi në Elbasan kanos prindin e një nxënësi dhe e lyen me benzinë për ta djegur

Një mësues në Elbasan është vënë në hetim nga policia pasi dyshohet se ka kanosur prindin e njërit prej nxënësve të tij me pretendimin se i ka dëmtuar imazhin.

Prindi i nxënësit që 34 vjeçari i jepte mësim thotë se mësuesi i ka hedhur në drejtim të tij një bidon me benzinë që e ka marrë në automjet, me qëllim për ta djegur.

Burime për mediat bëjnë me dije se konflikti mes mësuesit dhe prindit ka ndodhur pasi 34 vjeçari sillej jo profesionalisht me nxënësit në klasë duke ushtruar ndaj tyre presion psikologjik të vazhdueshëm.

“Për kanosjen e shtetasit I. K., ju bëjmë me dije se nga hetimet e mëtejshme të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, me qëllim zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, rezultoi se autori i dyshuar, shtetasi E. K., 34 vjeç, me profesion mësues, e ka kanosur shtetasin I. K., sepse pretendon se ky i fundit i ka dëmtuar imazhin si mësues.

Më tej, në deklarimin e tij, shtetasi I. K. pretendon se përveç kanosjes me fjalë, 34-vjeçari ka hedhur në drejtim të tij, një bidon dyshohet me lëndë djegëse (benzinë) që e ka marrë në automjet”, bën me dije policia.

Hetimet për këtë ngjarje po kryhen nga Prokuroria e Elbasanit, ndërsa për 34-vjeçarin rëndojnë akuzat për veprat penale “Kanosja” dhe “Vetëgjyqësia”