Mbyllet ambasada amerikane në Ukrainë për shkak të parashikimeve për sulme ajrore

Departamenti Amerikan i Shtetit për Çështje Konsullore tha të mërkurën se ambasada amerikane në Kiev ka marrë informacione për një sulm të mundshëm të madh ajror dhe do të mbyllet.

“Në shenjë kujdesi, ambasada do të mbyllet dhe punonjësit e saj po udhëzohen të strehohen”, thuhet në një deklaratë të të publikuar në faqen e internetit të ambasadës amerikane në Kiev.

“Ambasada e SHBA-së rekomandon që qytetarët amerikanë të jenë të përgatitur të strehohen menjëherë në rast të një alarmi për sulme ajrore”, thuhet më tej.

Paralajmërimi u bë një ditë pasi Ukraina përdori raketat amerikane ATACMS për të goditur në territorin rus, duke përfituar nga leja e sapo dhënë nga administrata në largim e Presidentit amerikan Joe Biden, në ditën e 1000-të të luftës.

Rusia e kishte paralajmëruar Perëndimin për muaj të tërë se nëse do ta lejonte Ukrainën të hidhte raketa amerikane, britanike dhe franceze thellë në Rusi, Moska do t’i konsideronte këto vende anëtare të NATO-s si të përfshira drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë.

Presidenti rus Vladimir Putin tha në tetor se Moska do t’u përgjigjet sulmeve të Ukrainës me armë të prodhuara nga SHBA-ja në thellësi të Rusisë.

Presidenti rus nënshkroi të martën një doktrinë të rishikuar bërthamore, duke deklaruar se një sulm konvencional ndaj Rusisë nga çdo komb i mbështetur nga një fuqi bërthamore konsiderohet një sulm i përbashkët dhe mund të nxisë një përgjigje bërthamore./VOA