Mbrojtja mbi reaktorin e Çernobilit ka humbur funksionin kryesor pas sulmit me dron

Mbrojtja gjigante çeliku që mbulon reaktorin e Çernobilit ka humbur funksionin kryesor të sigurisë pas një sulmi me dron më herët këtë vit, njoftoi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA). Inspektorët e agjencisë thanë se struktura, e ndërtuar për të izoluar mbetjet radioaktive të aksidentit të vitit 1986, nuk mund të sigurojë më plotësisht aftësinë e saj për mbyllje.

Ukraina akuzoi Rusinë për goditjen e uzinës në muajin shkurt, një pretendim që Kremlini e mohoi. IAEA theksoi se riparimet janë “thelbësore” për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të mbrojtjes, pasi sulmi shkaktoi zjarr në pjesën e jashtme të mbulesës së çelikut.

Eksperti britanik i mjedisit, Prof. Jim Smith, tha për BBC se situata “nuk duhet të shkaktojë panik”, pasi rreziku kryesor lidhet me zhvendosjen e pluhurit radioaktiv, i cili vazhdon të mbahet i izoluar brenda sarkofagut të betonit, strukturë e ndërtuar menjëherë pas katastrofës.

Sarkofagu fillestar kishte jetëgjatësi 30-vjeçare, çka çoi në ndërtimin e mburojës së re për të garantuar sigurinë për një shekull të tërë. Sipas IAEA-s, dëmtimet aktuale nuk kanë prekur elementët mbajtës apo sistemet e monitorimit, dhe disa riparime tashmë kanë nisur.

Kreu i agjencisë, Rafael Grossi, paralajmëroi se “restaurimi i plotë dhe i shpejtë është jetik për sigurinë afatgjatë”.

Që nga fillimi i dhjetorit, IAEA po monitoron infrastrukturën energjetike të Ukrainës, ndërsa Rusia ka intensifikuar sulmet, përfshirë goditjet e reja ajrore gjatë natës në Kremenchuk. Agjencia po inspekton gjithashtu nënstacione elektrike thelbësore për funksionimin dhe ftohjen e centraleve bërthamore në vend.