Mbledhja e Këshillit Bashkiak pa surpriza, gati pr.vendimi për shkarkimin e Veliajt

Këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranë nuk kanë humbur kohë dhe kanë bërë gati projekt-vendimin për shkarkimin e kryebashkiakut, Erion Veliaj, i cili u arrestua me urdhër të SPAK në shkurt të këtij viti.

Kërkesa, e firmosur nga grupi i këshilltarëve të mazhorancës vendos si motiv për shkarkimin nenin 62 të ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, ku thuhet:

“Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave kur: propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”.

Erion Veliaj, i izoluar prej 7 muajsh në qeli, kërkoi që të merrte pjesë në mbledhje në mënyrë që të dëgjohej ndërsa një ditë më parë përmes një shkrese zyrtare dërguar Këshillit Bashkiak shprehej se nuk e dinte ende arsyen e shkarkimit të tij si kryebashkiak.

Megjithatë edhe pse kishte bërë kërkesë që të merrte pjesë në mbledhje, ai nuk bëri kërkesë në SPAK për leje të posaçme, e konfirmuar kjo nga Prokuroria e Posaçme pas interesimit të mediave.

Shkarkimi i Erion Veliaj i hap rrugë zgjedhjeve të reja për Bashkinë e Tiranës, ku për PS do të kandidojë Ogerta Manastirliu ndërsa nga PD ende nuk ka një emër konkret.

Kujtojmë se SPAK e akuzon Erion Veliajn për korrupsion në 9 raste e kryer në bashkëpunim, pastrim parash, fshehje pasurie, futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara dhe shpërdorim detyre.

Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion në 9 raste e kryer në bashkëpunim, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehja e të ardhurave.

Pjesë e dosjes “Veliaj” janë edhe 28 persona e shoqëri, mes tyre edhe socialistja Klotilda Bushka, e cila akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” si dhe biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Sokol Kryeziu dhe Mirton Lika