Mbledhja për imunitetin e Ballukut, PD kërkon të jetë e hapur, PS kundër! Shehaj deklaratë nga Kryesia: Duan të mbajnë të fshehur kërkesën e SPAK

Këshilli i Mandateve nuk ka nisur ende shqyrtimin e kërkesës së SPAK për t’i hequr imunitetin zv.kryeministres, Belinda Balluku.

Burime bëjnë me dije se kreu i grupit të PS, ka kërkuar që mbledhja të jetë e mbyllur për shkak të sekretit hetimor.

Ndërkohë anëtarët e PD në Këshill kërkojnë që kjo mbledhje të jetë e hapur për publikun.

Njëkohësisht kreu i partisë “Mundësia” Agron Shehaj ka kërkuar që të jetë pjesë e kësaj mbledhje, si një e drejtë që i takon si deputet i Kuvendit, por kërkesa e tij nuk është shqyrtuar ende.

Në një komunikim për mediat jashtë Kryesisë së Kuvendit, Shehaj tha se PS kërkon që të mbajë të fshehur kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, ndërsa shtoi se ka të drejtë që të bëhet pjesë e Këshillit të Mandateve.

“Kanë vendosur dhe duan të bëjnë gjithçka për të mbuluar atë që po ndodh. Duan të mbajnë të fshehur kërkesën e SPAK-ut. Unë kam të drejtë të jem pjesë e Këshillit të Mandateve. Jemi parti politike dhe kemi nevojë të përfaqësohemi. Balla, në asnjë mënyrë, dhe anëtarët e tjerë që janë aty, u tha se nuk lejohen të tjerët. Ky është preteksti që e kanë kërkuar prokurorët. Kjo është hera e parë që e mbajnë mbledhjen me dyer të mbyllura. Kjo është e mbyllur!

Balluku thotë në përgjigje: është vendosur tenderi nga Rama. S’ka më kufi mes krimit dhe shtetit. Një qytetar shqiptar nuk e di më se kujt t’i drejtohet ditën kur ka nevojë për mbrojtje. Kujt t’i kërkojë të mbrohet, policit që e merr peng?

Unë kam bërë edhe kërkesë që të jem në Këshill. As këtë nuk e bënë. Është e qartë që duan ta mbyllin çështjen. Nuk dihet se cilat janë argumentet që ka SPAK. Po kërkohet arresti i Ballukut. Ajo duhet të dalë para drejtësisë”, tha Shehaj.