Mbi 12.500 kërkesa për regjistrimin e emigrantëve për zgjedhjet e 11 Majit, të rinjtë më të interesuarit

Prej 2 ditësh ka nisur regjistrimi i emigrantëve shqiptarë që duan të votojnë në zgjedhjet e 11 Majit në Shqipëri, të cilët vullnetin e tyre do ta shprehin nëpërmjet postës elektronike.

Deri më tani në KQZ janë paraqitur 12.536 kërkesa, nga të cilat janë miratuar 1859, janë refuzuar 288 dhe pjesa tjetër janë ende nën shqyrtim.

Ajo që vihet re është se ka një interesim të madh nga të rinjtë, pasi rreth 70% e kërkesave janë bërë nga moshat 18-45 vjeç, ndërsa më pak kërkesa janë bërë nga mosha 56+ vjeç.

Italia, Greqia dhe Gjermania janë vendet nga kanë ardhur më shumë kërkesa, ndërsa Tirana është qarku me më shumë kërkesa deri më tani, dyfish më shumë se qarku i Fierit që është i dyti.

Nëse kërkesat vijojnë me të njëjtin ritëm, atëherë vota e Diasporës do të jetë një faktor kyç në zgjedhjet e 11 Majit, për të përcaktuar se kush do të jetë partia që do të qeverisë për 4 vitet e ardhshme.