Mbi 1 mijë të vdekur nga tërmeti në Mianmar

Të paktën 1000 njerëz kanë vdekur pas një tërmeti me magnitudë 7.7 që goditi Mianmarin dhe tronditi Tajlandën fqinje.

Tërmeti ishte më i madhi që goditi Mianmarin në më shumë se një shekull. Shërbimi Gjeologjik i SHBA vlerësoi se numri i të vdekurve mund të shkojë në 10,000.

Shumica e viktimave ndodhen në Mandalay, qyteti i dytë më i madh i vendit dhe më afër epiqendrës së tërmetit. Në këtë zonë, ekipet e shpëtimit po përpiqen të gjejnë të mbijetuarit, madje edhe me duar, duke kërkuar mes rrënojave.

Ndërkohë, ekipet e shpëtimit ndërkombëtar, përfshirë një grup nga Kina, kanë mbërritur për të ndihmuar operacionet e kërkimit dhe shpëtimit.

Ndërkohë, në Bangkok të Tajlandës, ku një ndërtesë e papërfunduar u shemb si pasojë e tërmetit, operacionet e shpëtimit vazhdojnë. Sipas zyrtarëve lokalë, rreth 100 punëtorë rezultojnë të zhdukur, ndërsa gjashtë persona kanë humbur jetën.

Profesor Bill McGuire nga University College London tha se ky është ndoshta tërmeti më i madh në Mianmar në 75 vitet e fundit. Ai paralajmëroi për rrezikun e pasgoditjeve të shumta, të cilat mund të shembin ndërtesat e dëmtuara dhe të rrezikojnë ekipet e shpëtimit.

Tërmeti me magnitudë 7.7 që goditi Mianmarin të premten, shkaktoi energjinë ekuivalente të më shumë se 300 shpërthimeve të bombave atomike, sipas një gjeologe, teksa paralajmëroi se pasgoditjet ka të ngjarë të vazhdojnë të tronditin rajonin.

“Forca që lëshon një tërmet si ky është rreth 334 bomba atomike”, tha gjeologia, Jess Phoenix për CNN.