Dy persona janë prangosur në flagrancë në aksin rrugor “Qafë Kashar-Rinas”. Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin lëviznin janë gjetur katër pistoleta dhe tre armë të ftohta.
Nga verifikimet paraprake, Policia shprehet se dy të rinjtë ishin furnizues të grupeve kriminale me armë zjarri, të cilat modifikoheshin me silenciatorë.
“Si rezultat i një hetimi dymujor, me metoda proaktive, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Vorë dhe të ndjekur në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, u finalizua në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Forcën e Posaçme Operacionale, operacioni “Silent”. Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë, teksa lëviznin me automjet në aksin rrugor “Qafë Kashar-Rinas”, shtetasit A. H., 19 vjeç dhe J. P., 20 vjeç, të dy banues në Vorë. Atyre iu gjetën 4 armë zjarri pistoleta, të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale, pas modifikimit me silenciatorë. Në momentin e arrestimit, në automjet u gjet dhe 1 mjet prerës (thikë)”, njofton policia.
Gjithashtu u kryen kontrolle në banesën e shokut të të arrestuarve, 49-vjeçarit me iniciale G. Sh..
“Në këtë ambient u gjetën 1 dorezë metalike dhe 1 shkop gome. Për posedim të kundërligjshëm të këtyre sendeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për këtë shtetas, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’”, shtoi policia.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të dy të rinjve dhe lidhjet që ato kishin me eksponentë të botës së krimit.