Ditën e sotme po mbahet në Gjykatën e Apelit seanca ndaj Arbër Paplekajt, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, në 21 prill të vitit 2021.
Avokati i Paplekajt, Mirash Martini ka thënë se klienti i tij ka reaguar pasi kanë qëlluar me armë shtetasit e tjerë dhe pasi ka parë një nga miqtë e tij të plagoset.
Sipas përfaqësuesit ligjor të ish-efektivit të RENEA-s, Paplekaj ka qëlluar instiktivisht për vetëmbrojtje. Më tej, avokati Martini nënvizon se ngjarja nuk ka qenë e hamendësuar dhe se Paplekaj nuk ka provokuar. Ai po ashtu u ndal edhe tek rezultatet e ekspertëve, të cilët arritën në konkluzion se Xhuvani ka qenë afër një personi që ka qëlluar me armë.
“Dëshmitarët tregojnë se Paplekaj ka qëlluar pasi kanë qëlluar shtetasit e tjerë. Gjykata e Elbasanit arsyeton se provohet që nuk ekziston sulmi ndaj Paplekajt, dhe se për shkak të fyerjeve Paplekaj nxjerr armën dhe qëllon. Kjo gjykatë ka arsyetuar, totalisht kundër këtyre provave në këtë gjykim.
Vetë gjykata realisht e ka deformuar të vërtetën dhe nuk ka dashur ta zbulojë. Ne kërkuam ekspertizë nuk u bënë.
Moment i rëndësishëm është pjesa e faktorëve plotesues që janë gjetur në teshat e Pjerin Xhuvanit, ka fakt plotesues të armës së zjarrit. Distanca maksimale ku mund të mbeten është një metër, është e qartë se nuk janë të Arbër Paplekajt.
Ekspertët thanë se nuk përjashtohet se Pjerin Xhuvani ka qenë afër një personi që ka qëlluar me armë. Ndërkohë që Paplekaj ishte mbi 7 m larg. Arbër Paplekaj nuk ka reaguar ndaj fyerjeve, por pasi ka konstatuar se një nga miqtë e tij është lënduar dhe kur ka konstatuar te paktën dy persona me armë.
Tregon një gjendje psiqike shumë të rënduar, kur ka parë Vuksanin ka deklaruar se ka vepruar si robot, kanë qenë veprime instiktive më mbrojtje të jetës sime dhe personave që ishte me ta.
Nga akti i ekspertimit del qartë se në momentin e kryerjes së veprimet ka qenë në situatë të rënduar emocionale të pavetëdishme për disa sekonda që nuk kontrollon dot përkohësisht veprimet e tij.
Jemi para kushteve të mbrojtjes së nevojshme. Ka disa tregues. Duhet së pari sulmi të jetë nga një person, rezulton nga kjo ngjarje që vijnë vrullshëm, të armatosur, fyejnë rëndë dhe qellojnë. Në krye ka qenë Pjerin Xhuvani.
Këta persona kanë rrezikuar jetën e Paplekajt dhe personave që e shoqërojnë. Nuk është veprim i provokuar nga Paplekaj. Ajo ngjarje ka zgjatur disa sekonda, tregon se jemi në ngjarje të menjëhershme. Nuk ka qenë sulm i hamendësuar por real. Ky grup ka qenë si trupë e vetme që vepronin njëherësh dhe më drejtim ishte Pjerin Xhuvani, kundër Paplekajt e personave të tjerë. Mendoj se Pjerin Xhuvani, ka qenë pjesë e këtij sulmi që në vetvete do të kishte përgjegjësi penale“- u shpreh avokati i tij.