Mazhoranca ka votuar sot ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit ndërsa opozita vendosi që të mos merrte pjesë duke u larguar nga salla.
Miratimi i projektligjeve në Kuvend ku përfshihet ngritja e 11 komisioneve parlamentare të përhershme, nënkryetarët e këtyre komisioneve, ngritja e Byrosë së Kuvendit, kaluan në votim me 79 vota pro dhe 0 abstenim. Pas votimit të ndryshimit të rregullores, seanca u mbyll ndërsa do të rifillojë sot në orën 17:00.
Seanca e sotme u shoqërua me debate ku opozita është kundër ndryshimeve të komisioneve, ku 7 do të drejtohen nga mazhoranca dhe 4 nga opozita.
Më herët gjatë seancës Berisha tha se po shkelet kushtetuta dhe vullneti i qytetarëve shqiptarë.
Kreu i demokratëve hodhi gjithashtu akuza ndaj kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për të cilin tha se është kthyer në një sekretar të kryeministrit Edi Rama dhe se e nisi detyrën e tij duke shkelur Kushtetutën.
“Të fillosh detyrën duke shkelur Kushtetutën damkos në mënyrë përfundimtare veten tende, tregon se nuk je gjë tjetër vetëm një sekretar i kreut të organizatës kriminale të Shqipërisë që e ka emrin Edi Rama.
Shkelmimi i Kushtetutës është shkelmim i vullnetit të qytetarëve shqiptarë është puç që i bëhet librit të shtetit vetëm sepse doni të lani duart pas krimit që kryeni.
Është provokacion i ulët që ju i bëni rendit kushtetues të vendit, qytetarëve të këtij vendi dhe opozitës, akt i turpshëm. Statutin e partisë suaj të krimit e keni Kushtetutën? Merr vendimin, mblidhni këshillat dhe zbatoni Kushtetutën”- u shpreh Berisha.