Masat ndaj Ballukut, zbardhet vendimi i GJKKO: Rrezikon të prishë provat dhe të largohet

Zbardhet vendimi i GJKKO lidhur me masat e vendosura nga zv.kryeministres Belinda Balluku, kreut të ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe administratorit të KESH-it, Erald Elezi, me këta të fundit që ndodhen në arrest shtëpie.

Gjykata vlerëson se masat ndaj Ballukut, pezullim detyre dhe ndalim për të dalë jashtë vendit dhe arrest shtëpie ndaj vartësve të saj janë vënë pasi ekziston rreziku që të pandehurit të largohen.

“Gjykata vlerëson se, në rastin konkret ekziston rreziku i largimit të të pandehurve të sipërcituar, nisur nga sanksioni dhe marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale që ata dyshohen, konkretisht nga një deri në pesë vjet burgim për veprën penale të parashikuar nga neni 258 i K.Penal, duke marrë parasysh rrethanën se të pandehurit dyshohen për këtë vepër penale të kryer dy here dhe në bashkëpunim”, sqarohet në vendimin e GJKKO.

Duke u ndalur te pezullimi, GJKKO arsyeton se; “ekziston rreziku që ata të kryejnë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen, kjo, lidhur me rrethanat e veprimeve të kundraligjshme të të pandehurve në disa procedura prokurimi, si dhe nisur nga fakti se të pandehurit menaxhojnë në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera të parashikuara për Institucionet Qëndrore që ata drejtojnë. Me plotësimin e kushteve dhe kritereve si më sipër, Gjykata vlerëson se caktimi masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues/ndalues ndaj të pandehurve Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi është i domosdoshëm në plotësim të nevojave të sigurimit që kërkon hetimi i këtij procedimi penal.”.

Sipas gjykatës, Balluku, për shkak të detyrës që ushtron, vë në rrezik marrjen e provave. 

Në lidhje me ekzistencën e shkaqeve të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës Gjykata vlerëson se, “në rastin konkret ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës në funksion të hetimit të kësaj çështjeje pasi për shkak të detyrës që ushtron e pandehura Belinda Balluku. (aktualisht me funksionet e larta shtetërore, Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës). por dhe të pandehurit e tjerë Gentian Gjyli, (aktualisht me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar), Frald Elezi, (me detyrën e Administratorit të Koorporates Elektroenergjitike Shqiptare SH.A). ekziston mundësia që ata të mund të ndërhyjnë dhe të ndikojnë në prishjen ose asgjësimin e provave, në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, kjo nisur nga fakti që organi procedues po verifikon çdo dokumentacion të administruar nga Institucionet”.