Dymbëdhjetë persona u vranë në Cetinje të Malit të Zi, pas të shtënave me armë zjarri. Autori i tragjedisë, Aco Martinoviç kreu vetëvrasje, konfirmoi prokurorja Andrijana Nastiç, shkruajnë mediat lokale.
Martinoviç ekzekutoi katër persona në një bar dhe tetë të tjerë nëpër zona të tjera, përfshirë anëtarë të familjes së tij.
Katër persona janë plagosur dhe janë dërguar në Qendrën Klinike të Podgoricës.
Autoritetet nuk kanë dhënë hollësi për motivet e mundshme të vrasjeve. Martinoviç ishte dënuar me kusht në vitin 2005 për sjellje të dhunshme me një vit burg, por nuk është konsideruar si person me interes për sigurinë.
Në vitin 2022, atij iu gjetën armë dhe eksploziv, ndërsa u dënua në shkallën e parë me tre muaj burg. Autoritetet në Mal të Zi kanë shpallur tre ditë zi kombëtare, ndërsa kryeministri ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.