Prej disa ditësh po qarkullon lajmi se Partia Socialiste do t’i marrë opozitës drejtimin e Komisionit të Integrimit, pasi ky i fundit do të shkrihet me atë të Politikës së Jashtme.
Këtë të mërkurë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u pyet nga gazetarët se si e komentonte këtë vendim të mazhorancës, por kryedemokrati nuk dha një përgjigje konkrete.
“Edi Rama bën gjithçka që të mbyll kanalet e komunikimit dhe zërin e opozitës, por të garantoj që është i dështuar dhe do të dështojë. Zeri i opozitës, pavarësisht do kryesojë këtë apo atë komision do jehojë më fuqishëm se kurrë ndonjëherë kundër këtij narkodiktatori dhe regjimit të tij”.
Kjo ishte përgjigjja e Berishës, që nuk bindi as gazetarin që i bëri pyetjen, i cili insistoi se çfarë do të bëjë konkretisht PD në këtë rast.
“PD do e shqyrtoj, nuk ka një gjë zyrtare, këto që thoni ju qarkullojnë. Përgjigjja ime ishte vërtet e përgjithshme, por edhe konkrete. Këto do jenë qëndrimet tona”- u shpreh Berisha gjatë konferencës për shtyp.
Por teksa PS do t’i marrë një nga komisionet më të rëndësishme opozitës, lind pyetja: mos ka një marrëveshje të fshehtë PS-PD? Nuk është aspak çudi, pasi edhe më herët ka pasur marrëveshje mes partive me të mëdha në vend. Mjafton të kthehemi pas në kohë, kur PD vendosi që t’i jepte fund mosbindjes civile ndërsa PS ra dakord për ngritjen e dy komisioneve hetimore që kërkonte opozita.