Tre ngarkesa me luleshtrydhe të importuara nga Greqia në vendin tonë kanë rezultuar të kontaminuara me pesticide.
Ky alarm u ngrit nga RASFF, sistemi i alarmit të shpejtë për ushqimin i Komisionit Europian.
Një ngarkesë ka mbërritur në Shqipëri më 17 shkurt, një tjetër më 05 mars dhe një tjetër më datë 1 prill.
Agjencia Kombëtare e Ushqimit konfirmon se sasi prej 52 kilogramë luleshtryeshe është konsumuar dhe kjo shton ajo verifikohet nga faturat e prera.
AKU thekson se është angazhuar për bllokimin në kufi të çdo ngarkese me luleshtrydhe deri sa të dalin analizat për dhjetë ngarkesa të tjera.
“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë vlerësim të riskut për këtë produkt dhe e ka kategorizuar me risk të lartë. Për këtë, është komunikuar me të gjitha Pikat e Inspektimit Kufitar, për mostrimin e 10 ngarkesave të njëpasnjëshme dhe bllokimin në kufi të cdo ngarkese me luleshtrydhe, deri në daljen e përgjigjes së analizave të çdo mostrimi për produktin që mund të vijojë të importohet nga Greqia”, thekson AKU.
“Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, bën me dije se për çdo rast të konstatuar (në treg apo në Pikat e Inspektimit Kufitar), të rezultuar jo-konform kërkesave dhe standardeve me legjislacionin në fuqi për produkte të importit, njoftohet Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë – RASFF. Lidhur me rastin e produktit Luleshtrydhe të një sasie prej 52 kg, të importuar nga Shteti i Greqisë, AKU në bazë të Planit të Monitorimit me Bazë Risku zbatoi procedurën e dërgimit në datën 17 shkurt 2025 për analizim laboratorik dhe pas daljes së rezultatit u angazhua nëpërmjet sistemit të gjurmueshmërisë për mbledhjen dhe tërheqjen nga tregu të kësaj sasie luleshtydhe. Në bazë të faturave të shitjes të paraqitura nga Operatori i Biznesit Ushqimor e gjithë sasia rezultonte e shitur. Menjëherë pas këtij rasti, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë vlerësim të riskut për këtë produkt dhe e ka kategorizuar me risk të lartë. Për këtë, është komunikuar me të gjitha Pikat e Inspektimit Kufitar, për mostrimin e 10 ngarkesave të njëpasnjëshme dhe bllokimin në kufi të cdo ngarkese me luleshtrydhe, deri në daljen e përgjigjes së analizave të çdo mostrimi për produktin që mund të vijojë të importohet nga Greqia. Synimi i urdhërimit për bllokime të tilla në PIK është që të pritet cdo rezultat analize e mostrimeve në të tilla raste. Në bazë të këtyre rezultateve do të përcaktohet nëse importet do të lejohen për tregtim brenda territorit shqiptar apo do të kthehen në vendin e origjinës. Lidhur me prononcimin në media të tre rasteve për njoftimin e AKU-së nga sistemi RASFF, ju bëjmë të ditur se ka qenë AKU që ka njoftuar sistemin RASFF si pasojë e zbatimit me korrektësi të planeve të monitorimit dhe marrjes së mostrave, si në tregun e brendshëm ashtu edhe në kufi (PIK)”, njofton AKU.