Luigi Soreca i dorëzon Begajt raportin e KE, Presidenti optimist: Unë do jem i angazhuar për integrimin në Bashkimin Europian

I Ngarkuari me Punë i Delegacionit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, i ka dorëzuar sot Presidentit Bajram Begaj Raportin e Progresit për vitin 2023 të Komisionit Europian për Shqipërinë.

Në raport evidentoheshin disa probleme të Shqipërisë, duke nisur nga vjedhja e fondeve të IPARD, forcimi i kapaciteteve të SPAK dhe puna jo e mirë e Kuvendit për të mbikëqyrur si duhet qeverinë, ndërkohë që korrupsioni vijon të jetë shqetësim serioz për vendin tonë.

Për Presidentin Bajram Begaj, ky raport ishte pozitiv, pasi “mbështet ecurinë pozitive të reformave, në veçanti reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Presidenti thotë se do të jetë i angazhuar për avancimin e procesit të integrimit europian, i cili mbetet objektivi kryesor kombëtar.

“Shqipëria është, gjithashtu, e angazhuar për krijimin e një ekonomie funksionale, e cila mund të ndihmojë përmirësimin e integrimit të plotë të vendit tonë në tregun e vetëm të BE-së. Ne i vlerësojmë thellësisht përpjekjet e Komisionit Evropian për ta përshpejtuar integrimin ekonomik përmes Planit të Ri të Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor.

“Në cilësinë time si President i Shqipërisë dëshiroj të siguroj të gjithë qytetarët tanë dhe partnerët ndërkombëtarë se do të vazhdoj të jem i angazhuar për avancimin e procesit të integrimit europian, i cili mbetet objektivi ynë kryesor kombëtar”, u shpreh Begaj në takimin me Sorecan.