Loja me çmimet e naftës: Si Bordi i Transparencës u vendos në shërbim të biznesmenëve dhe qeverisë

Rritja e çmimit të karburantit është kthyer në një shqetësim serioz për qytetarët shqiptarë, teksa është shumë e çuditshme se si rritja e çmimit reflektohet më shpejt në vendin tonë se në çdo vend tjetër.

Për të bindur qytetarët se kujdeset për ta, qeveria ka ngritur një të ashtuquajtur Bordi i Transparencës, i cili “transparencën” duket se e ka vetëm në emër, pasi vendimet i ka marrë gjithmonë në interes të biznesmenëve të hidrokarbureve.

Pasi i uli çmimet për vetëm 1 ditë, nga 214 në 203 lekë për litër për naftën, ky Bord të nesërmen nën presionin e importuesve vendosi që të rrisë sërish çmimin, këtë herë edhe më shumë, duke e çuar në 218 lekë/litër.

Por, ky çmim jo vetëm që është shumë i lartë për qytetarët, por brenda vetes mban edhe një “hile”, që tregon se si Bordi i Transparencës mendon vetëm të favorizojë biznesmenët dhe të mos i shtojë detyrimet qeverisë.

Cila është kjo hile?

Pak ditë më parë, kryeministri Rama deklaroi se qeveria kishte vendosur të ulë me 20% akcizën në rast se çmimi kalonte 220 lekë/litër.

Bordi i Transparencës është kujdesur që ky çmim të mos arrihet, në mënyrë që ulja prej 20% të mos aplikohet, ndërkohë që çmimi i vendosur është në limite, duke favorizuar biznesmenët, që do të vijojnë të fitojnë edhe më shumë në kurriz të qytetarëve shqiptarë.

Ndërkohë, në vendet e rajonit çmimi i karburanteve vijon të jetë shumë më i ulët në krahasim me Shqipërinë, çfarë ka detyruar qytetarët që të shkojnë të furnizohen në vendet fqinje, duke bërë që ekonomia shqiptare të humbë më shumë se 1 milionë euro në ditë.

Në fund, historia është e qartë: çmimi i naftës reflekton më së miri lojën e fshehtë mes qeverisë dhe biznesit. Bordi i Transparencës nuk është një mekanizëm për të mbrojtur qytetarët, por një mjet për të legjitimuar fitimet e importuesve, duke i shfrytëzuar qytetarët deri në limite.