Lindjet po përcaktojnë të ardhmen: Perëndimi në krizë demografike

Ndryshimet më të mëdha gjeopolitike të kohës sonë nuk po ndodhin në takime qeveritare apo në luftëra, por në maternitet, ose më saktë, në mungesën e lindjeve. “E ardhmja u përket atyre që vijnë në të”, dhe shifrat demografike tregojnë qartë kush do ta formësojë botën e nesërme.

Në fillim të viteve 1900, Britania kishte më shumë banorë se Nigeria. Sot, Nigeria pritet të ketë më shumë njerëz se i gjithë Bashkimi Evropian. Me norma lindshmërie nën nivelin e zëvendësimit, Perëndimi nuk ka më “tepricë njerëzore” për të mbajtur influencën globale. Emigracioni masiv nuk është konspiracion, por pasojë natyrore e një bote ku disa vende kanë shumë të rinj, ndërsa të tjerat po plaken dhe zbrazin.

Rusia dhe Ukraina, për shembull, janë në një “spiralë vdekjeje demografike”, duke luftuar për toka që nuk kanë mjaftueshëm njerëz për t’i populluar. Edhe Kina përballet me plakje të popullsisë dhe do të “plaket përpara se të bëhet e pasur”.

SHBA-ja mund të jetë përjashtimi, falë burimeve të saj natyrore dhe kulturës që ende tërheq migrantë.

Por kriza nuk është vetëm në numra. Perëndimi ka humbur edhe vullnetin për të ndërtuar – si fizikisht, ashtu edhe shoqërisht. Sot, është më e lehtë të flasësh për “ura dialogu” sesa të ndërtosh një urë të vërtetë. Ndërsa dikur ndërtonte grataçiela në 5 vite, sot i duhen 12 vite për një studim mjedisor.

Demografia nuk i nënshtrohet dëshirave tona morale – është matematikë e ftohtë. Politikat duhet të ndërtohen mbi realitetin, jo vetëm mbi idealet. Nëse Perëndimi nuk e pranon këtë, do të mbetet spektator në vend që të jetë formësues i historisë.