Gjykata ka lënë në burg dy vëllëzërit, Shkëlqim dhe Florian Duka, të akuzuar për vrasjen e biznesmenit të ndërtimit, Eduard Reçi në Tiranë. Dy vëllezërit kanë mbajtur qëndrim mohues në seancë, duke thënë se nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen.
Dy vëllezërit u arrestuan tre ditë më parë, ku policia doli me një njoftim zyrtar lidhur me krimin që ndodhi në zonën e “Qytetit Studenti” në kryeqytet, ku viktima jetonte në pallatin që ai e kishte ndërtuar vetë.
Njëri prej vëllezërve, Shkëlqim Duka është polic, pranë komisariatit nr.2 në Tiranë dhe dyshohet se është ai personi që ka qëlluar me armë ndaj Reçit.
Të shtunën, policia ushtroi kontrolle në ambientet e lokalit dhe banesën e 2 vëllezërve. Në magazinën e biznesit të tyre u gjetën sende dhe materiale që kanë ndihmuar hetuesit në dokumentimin e vrasjes.
Po ashtu, policia bën të ditur se, Reçi po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës).
Ndër personat me të cilët shtetasi Reçi kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit Shkëlqim dhe Florian Duka.
Dy vëllezërit akuzohen për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.