Nesër në seancën plenare në Parlament do të nisë diskutimi i ligjit të ri për arsimin parauniversitar, ku janë parashikuar disa ndryshime.
Së pari, të drejtën për t’u arsimuar në Shqipëri do ta kenë të gjithë ata persona që banojnë në territorin shqiptar, dhe jo vetëm ata që janë shtetas shqiptarë, siç ishte më herët.
Gjithashtu ndryshime parashikohen edhe në nenin 55 të ligjit, ku tashmë drejtorin e institucionit arsimor publik do ta emërojë titullari i institucionit rajonal arsimor përkatës, përgjegjës për arsimin parauniversitar, pas propozimit të dy kandidatëve që vlerësohen me konkurrim të hapur nga komisioni i vlerësimit.
Komisioni përbëhet nga një përfaqësues i njësisë bazë të vetëqeverisjes vendore, një përfaqësues i njësisë arsimore vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar, kryetari i bordit të institucionit, kryetari i këshillit të prindërve të institucionit dhe dy mësues të institucionit arsimor të zgjedhur nga këshilli i mësuesve. Njëri prej dy mësuesve, me përvojën më të gjatë në atë institucion arsimor, drejton komisionin e vlerësimit. E njëjta gjë ndodh edhe me nëndrejtorin e atij institucioni.
Përsa i përket kandidatit për drejtor dhe nëndrejtor shkolle, ata duhet të kenë të paktën kategorinë “Mësues i kualifikuar” dhe të jenë të pajisur me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar.