Lëvizja Vetëvendosje i drejtohet ‘Supremes’ për votimin me postë

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës lidhur me votimin me postë për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit.

“Lëvizja Vetëvendosje edhe njëherë kërkon anulimin e 18.933 votave të LDK-së të ardhura në mënyrë të manipuluar, rivotimin me postë dhe largimin nga lista të kandidatëve që kanë marrë vota në mënyrë të pakrahasueshme më shumë përmes votimit me postë sesa në vendvotime në Kosovë dhe moszëvendësimin e tyre me anëtarë të tjerë të LDK-së”, u tha në një postim të bërë nga parti në rrjetin social, Facebook.

Më 17 mars, LVV-ja i ishte drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke kërkuar që të anuloheshin votat me postë që ka marrë Lidhja Demokratike e Kosovës, duke thënë se ato ishin “manipuluar” dhe duke kërkuar rivotim me postë. Por, PZAP e hodhi poshtë ankesën e LVV-së.

LVV-ja tha se shpreson që Supremja të “korrektojë vendimin e padrejtë” të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me votimin me postë.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Gjykata Supreme ka afat prej pesë ditësh nga paraqitja e ankesës, që të vendosë për të.

Më 15 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare për votimet e 9 shkurtit, por vetëm pasi të kenë përfunduar afatet për ankesë në supreme, Komisioni mund të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve – duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja.

Sipas rezultatit përfundimtar, LVV-ja prin me mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind.

E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga LDK-ja me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind.

Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar mbi 39.000 vota apo 4.26 për qind.

Me këto përqindje, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 sosh, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.