Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fiton sërish zgjedhjet në Kosovë

Lëvizja Vetëvendosje po shkon drejt një tjetër fitoreje bindëse në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Të dhënat e fundit nga procesi i numërimit tregojnë se partia në pushtet ka arritur të ruajë epërsinë ndaj rivalëve politikë, duke mbledhur gati 43 për qind të votave në nivel vendi.

Sipas rezultateve paraprake, Vetëvendosje ka siguruar 297 mijë e 296 vota, ose 42.92 për qind të totalit të votave të numëruara deri më tani, por ka një rënie prej rreth 6% nga zgjedhjet e kaluara.

Forca e dytë politike rezulton Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka marrë 21.06 për qind të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës renditet e treta me 17.61 për qind.

Në mesin e partive të tjera, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.18 për qind të votave, ndërsa Lista Serbe ka siguruar 6.17 për qind. Ndërkohë, Partia Demokratike Turke e Kosovës ka marrë 0.77 për qind të mbështetjes elektorale.

Procesi i numërimit është pothuajse në fazën përfundimtare. Nga 2,498 qendra votimi, janë përpunuar rezultatet e 2,483 prej tyre, çka përfaqëson mbi 99 për qind të votave të hedhura.

Nëse këto shifra mbeten të pandryshuara edhe pas përfundimit të numërimit dhe certifikimit të rezultateve nga institucionet përkatëse, Vetëvendosje do të konfirmojë statusin e saj si forca më e madhe politike në vend, duke siguruar një mandat të ri me diferencë të konsiderueshme ndaj kundërshtarëve.