Deputeti demokrat Lefter Gështenja, në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend, ka radhitur problemet që kanë banorët e Librazhdit, zonës të cilën ai përfaqëson.
Ai tregoi se vetëm këtë vit në bankat e shkollës së Librazhdit janë ulur 420 nxënës më pak, që tregon se ata janë larguar nga vendi bashkë me prindërit për një jetë më të mirë. Sipas tij, asnjë investim nuk është bërë për rrugë dhe nuk kanë përfunduar ende projektet e nisura më herët.
Gështenja shprehet se në Librazhd ka vetëm mjerim dhe asnjë familje nuk gjen arsye të jetojë në atë zonë, teksa shton se korrupsioni në qeveri ka sjellë vetëm rritje të vlerës së pasurisë të miqve të pushtetarëve, siç ndodhi me fondet e IPARD, që u bënë vila, ferma apo bujtina.
Pjesë nga fjala e Lefter Gështenjës:
Pyetja themelore që duhet të shtrojmë nuk është a kemi fonde, por ku shkojnë ato. Ka vetëm një përgjigje; vjedhje.
Por korrupsioni dhe keqqeverisja nuk ka lënë vetëm pensionet e vogla. Edhe rrugët dhe infrastruktura nuk ka përfunduar, pagat e mësuesve nuk janë rritur, dhe njerëzit janë larguar në emigrimit.
Largimet masive të shqiptarëve i shoh fare mirë në zonën që përfaqësoj në këtë Kuvend. Vetëm këtë vit, 420 nxënës më pak u ulën e bankat e shkollës së Librazhdit. Ata janë larguar nga vendi bashkë me prindërit e tyre.
Është e vështirë që një familie të gjejë një arsye të jetojë normalisht në Librazhd. Nuk ka punë, por vetëm mjerim. Qeveria me buxhetin plot nuk ka investuar asnjë rrugë në Librazhd, nuk ka mbyllur as projektet të nisura më herët si aksi Librazhd-Peshkopi.
Vetëm familjet në nevojë shtohen në Librazhd, por jo vetëm. Jam i bindur kudo në Shqipëri.
A e dini të nderuar deputetë të maxhorancës, që të gjithë fermerët që mbollën grurë këtë vit dolën me humbje? A e dini se fermerë të tjerë kanë prishur vreshtat sepse nuk gjejnë treg për shitje?
Fatkeqësisht, qeveria propagandon vetëm suksese imagjinare. Mburret këtë vit me numrin e turistëve, por nuk di të thotë se si ka mundësi që fermerët shqiptarët nuk shesin dot produktet e tyre.
Kjo qeveri është mburrur edhe me fondet e IPARDI-it, të cilat na i solli Bashkimi Europian për të zhvilluar bujqësinë, por sot nuk jep asnjë shpjegim për hetimin që ka nisur BE për qindra miliona euro që shkuan për vila, ferma apo bujtina që miqve të qeverisë.