Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, thotë se Moska është e hapur për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Deklarata vjen pas një sulmi të rëndë ajror në Kiev që shkaktoi dhjetëra viktima dhe nxiti një reagim të ashpër nga Donald Trump.
“Rusia shprehet e gatshme të negociojë një marrëveshje paqeje për Ukrainën”, tha Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov në një intervistë për CBS, duke përforcuar komentet e fundit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka deklaruar se paqja është e mundur nëse të dyja palët janë të gatshme të bëjnë kompromis.
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara beson, dhe mendoj me të drejtë, se jemi në rrugën e duhur,” u shpreh Lavrov. “Në deklaratën e tij përmendet një marrëveshje, dhe ne jemi të gatshëm ta arrijmë atë”, shtoi ai.
Lavrov nuk dha detaje mbi çështjet konkrete që mbeten për t’u zgjidhur, por theksoi se “ka ende disa elementë që duhet të përpunohen”.
Komentet e Lavrov vijnë vetëm pak orë pas një prej sulmeve më të mëdha ajrore ndaj kryeqytetit ukrainas në muajt e fundit. Sulmi rus i së enjtes në mëngjes vrau të paktën 12 persona dhe plagosi mbi 70 të tjerë në Kiev.
Ngjarja shkaktoi reagim të menjëhershëm nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili e dënoi publikisht sulmin përmes rrjetit të tij Truth Social.
“Nuk jam i kënaqur me sulmet ruse në KIEV. Të panevojshme dhe në një kohë shumë të gabuar. Vladimir, NDALO! 5000 ushtarë po vdesin çdo javë. Le të arrijmë MARRËVESHJEN E PAQES!”, shkroi Trump.
Gjatë një deklarate për mediat, Trump tha se nuk e sheh Rusinë si pengesë për arritjen e paqes dhe beson se të dyja palët janë të interesuara për një marrëveshje.
“Nuk mendoj se Rusia është pengesë për paqen. Besoj se të dyja palët duan një marrëveshje. Ukraina ka humbur shumë territor. Do të bëjmë më të mirën që mundemi për të punuar me ta.”
Trump, i cili ka qenë shpesh më kritik ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy sesa ndaj Putinit, ka lënë të kuptohet se Ukraina duhet të jetë më e hapur ndaj kompromisit – përfshirë edhe çështje të ndjeshme si Krimea.