CEO i Oracle, Larry Ellison, ka arritur tw fitojë titullin e personit më të pasur në botë, duke kaluar në listën e pasurisë Elon Musk, kreun e Tesla-s.
Sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg, pasuria neto e Ellison u rrit me plot 101 miliardë dollarë vetëm gjatë ditës së mërkurë, duke arritur në një total prej 393 miliardë dollarësh. Kjo rritje e jashtëzakonshme është nxitur nga performanca e jashtëzakonshme e aksioneve të Oracle, të cilat shënuan një rritje deri në 41% gjatë së njëjtës ditë, duke kapur rekorde të reja intraday.
Ndërkohë, themeluesi i Tesla-s dhe SpaceX, Elon Musk, ka zbritur në vendin e dytë me një pasuri prej 385 miliardë dollarësh.
Larry Ellison, 81 vjeç, është bashkëthemelues i Oracle dhe aktualisht mban postin e kryetarit të bordit dhe drejtorit teknik të kompanisë. Shumica e pasurisë së tij lidhet me aksionet në Oracle, një nga kompanitë më të mëdha në botë në fushën e bazave të të dhënave dhe teknologjisë cloud.
Ellison njihet si një mbështetës i njohur i Donald Trump, të cilit i ka dhuruar miliona dollarë për fushata. Në janar të këtij viti, ai u shfaq përkrah Trump në Shtëpinë e Bardhë, bashkë me CEO-n e OpenAI, Sam Altman, dhe drejtuesin e SoftBank.