Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se e gjithë bota dhe Evropa po pret protestën e tyre, e cila do të mbahet më datë 10 shkurt, përpara Kryeministrisë
“E gjithë Evropa pret protestën tonë. E gjithë bota pret protestën tonë. I kanë përcjellë protestat me interesin maksimal, ndaj edhe ne do vazhdojmë misionin, misionin e përmbysjes së kësaj diktature dhe rikthimit të votës së lirë të shqiptarëve”, u shpreh kreu i selisë blu gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD.
Gjatë mbledhjes Berisha, paralajmëroi një “ngujim” në Bulevard, kjo si një kërkesë e qytetarëve.
“Janë më qindra demokratë që më thonë “nuk duhet të largohemi nga bulevardi pa larguar Edi Ramën”. Drejt asaj do shkojmë në mënyrë të pashmangshme. Ky moment duhet të jetë çështje e diskutimit tonë të gjerë me qytetarët dhe popullin opozitar”, tha Berisha.