Papa Françesku u nda sot nga jeta në moshën 88 vjeçare, një ditë pasi ai u shfaq në publik me rastin e festës së Pashkës. Ati i Shenjtë ndërroi jetë në Casa Santa Marta, ku ishte transferuar pas shtrimit në spitalin Gemelli. Për ndarjen nga jeta pati reagime të shumta nga politika në vend dhe krerët e besimeve fetare.
Kryeministri Edi Rama ndodhej në një takim elektoral në Kavajë ku mori vesh lajmin për ndarjen nga jeta të Papës dhe në nderim të tij mbajti një minutë heshtje.
“Më vjen keq se më erdhi një mesazh këtu, ka ndërruar jetë ati i shenjtë Papa Françesku, një njeri i jashtëzakonshëm. Unë kam pasur raport personal me të dhe më çonte vazhdimisht mesazhe me Arqipeshkvin dhe më vjen jashtëzakonisht keq. Ai zgjodhi ta vizitonte Shqipërinë, të parin vend jashtë Vatikanit që vizitoi pasi u zgjodh Papë. Pas një takimi që patëm, në Shqipëri kaloi një ditë që ai vetë e konsideronte të paharrueshme. Tha edhe atë fjalën e paharrueshme që Shqipëria nuk ka harmoni fetare, por vëllazëri fetare. Ishte një Papë ndryshe nga të tjerët dhe besoj se kam mirëkuptimin tuaj që ta nderojmë me një minutë heshtje dhe ta mbyllim këtu takimin.”, tha Rama.
Edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka nderuar me një minutë heshtje Papa Françeskun. Në nisje të takimit të tij në Pukë, ai e quajti Atin e Shenjtë “mik të shquar të kombit shqiptar”.
“Miq, para se të fillojmë këtë takim elektoral, u ftoj të nderojmë me një minutë heshtje një burrë të madh të njerëzimit, një mik të shquar të kombit shqiptar, Papa Françeskun, i cili u nda sot nga jeta. Krishtërimi, mbarë njerëzimi, shqiptarët kanë humbur sot një kolos të mendimit, të besimit tek Zoti, por edhe të dashurisë dhe respektit për njeriun. I përjetshëm kujtimi i shenjtërisë së tij, Papa Françeskut!”, u shpreh Berisha.
Në një mesazh ngushëllimi pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, Presidenti Bajram Begaj, ka vlerësuar figurën e tij si simbol të dashurisë universale, dhembshurisë dhe përkushtimit pa dallim feje apo kombësie.
“Shenjtëria e tij, Papa Françesku, sot u ngjit në qiell, pranë Atit, për të çuar në qiell atë që la trashëgimi në tokë – dhembshurinë, dashurinë dhe përkushtimin ndaj çdo njeriu, çdo besimtari e çdo feje,” – u shpreh Presidenti Begaj, i cili është pritur dy herë në audiencë nga Ati i Shenjtë.
Kreu i shtetit shtoi se do të ruajë në kujtesë takimet me Papën Françesku dhe u bashkua me lutjet e miliona besimtarëve në Shqipëri dhe mbarë botën për paqen e shpirtit të tij:
“Do të ruaj thellë në kujtesën time takimet tona. I bashkohem lutjeve të të gjithë besimtarëve shqiptarë që shpirti i tij të prehet në paqe!” – përfundoi mesazhin e tij Presidenti.
Një reagim erdhi edhe nga ambasada amerikane në Tiranë: “Prehu në paqe, Papa Françesku”, shkruhet në faqen zyrtare në “X”.
Për ndarjen nga jeta të Atit të Shenjtë reagoi edhe kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptare, Bujar Spahiu ndërsa kujton takimin me Papa Françeskun në vitin 2022.
“Sot u nda nga jeta një Papë që e deshi shumë dialogun ndër fetar, e deshi shumë vendin tonë dhe vlerësoi veçanërisht Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për rolin që luan në shoqërinë shqiptare.
Kam patur nderin e veçantë të jem kryetari i parë në historinë e KMSH që kam patur një audiecë të posaçme, me ftesë të tij, me Papa Françeskun. Takim që u zhvilluam më 6 maj 2022.
Në takimin kokë më kokë me Papa Françeskun, takim i cili zgjati për më shumë se 30 minuta, patëm një diskutim të gjerë nga i cili, përveç të tjerash, kuptova rëndësinë që ai i kushtonte dialogut dhe vlerësimit të lartë që kishte për Shqipërinë e për rolin e Komuniteti Mysliman.
Sot bota nuk ka humbur vetëm një Papë, por edhe një kryetar shteti e lider fetar që punoi shumë për paqe mes besimeve e për një botë më të qetë e të pa trazuar.
Unë dhe Komuniteti Mysliman kemi humbur gjithashtu një mik.
I shpreh ngushëllimet e mia bashkëpunëtorëve të tij të komunitetit katolik në Shqipëri dhe shtetit të Vatikanit!”- thuhet në reagim.
Nuk mungoi edhe mesazhi nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Edmond Brahimaj, për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut.
Ndër të tjera, në këtë mesazh, Dede Edmond Brahimaj thekson: “Me hidhërim të thellë morëm lajmin e kalimit nga jeta të Papa Françeskut – një prijës i madh shpirtëror dhe zë i paqes, drejtësisë dhe dashurisë. Me shumë vlerësim përkujtoj takimin tonë të fundit më 16 janar 2025 në Vatikan, ku Ai na priti me përzemërsi e dashamirësi, duke theksuar rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe bashkëjetesës. Ngushëllimet më të thella shkojnë për gjithë klerin dhe besimtarët katolikë në mbarë botën. Shpirti i Tij u prehtë në paqe! Amin!”
Ndërkohë Imzot Arjan Dodaj kryeipeshkv i metropolit të Tiranë-Durrësit, e ka konsideruar të Papa Franceskun si Papa i Revolucionit të Butësisë dhe Dashurisë së Zotit.
“Faleminderit i dashur Papa Françesku! Papa i Revolucionit të Butësisë dhe Dashurisë së Zotit! Papa i dashuruar me popullin tonë shqiptar! Papa jonë nga qielli na beko e vazhdo të na shoqërosh me dashurinë tënde!”, shkruan Dodaj.