“Lajthiza i bën ligjin shtetit”, banorët e Thirrës marrin masa drastike kundër ndërtimit të hidrocentralit: Po bëhet masakër mjedisore!

 Ndonëse Bashkia ka vendosur pezullimin e punimeve për hidrocentralin e Thirrës, kompania “Lajthiza Invest” vijon punimet në mënyrë të paligjshme.

Banorët e tre fshatrave Thirrë, Sang dhe Hebë, që preken nga ndërtimi i hidrocentralit kanë ngritur sot një çadër në vendin ku kompania vazhdon punimet.

Ata janë shprehur se do të qëndrojnë çdo ditë roje pranë çadrës për të kundërshtuar punimet që vazhdojnë kundër ligjit.  

Ndërsa banorët po shkonin pranë vendit të punimeve eskavatori i firmës ndërtuese u largua menjëherë. Edhe pse ka vendim për pezullim punimesh për shkak të mungesës së dokumentacioneve nga kompania përgjatë 3 javëve të fundit punimet kanë vijuar, ndërsa institucionet janë shprehur se janë të pafuqishme për t’i ndaluar dhe monitoruar.

Banorët kanë shkruar disa pankarta në të cilat thuhet se i kërkohet bashkisë të dalë në terren dhe të zbatojë ligjin. “Lajthiza i bën ligjin shtetit, nuk pyet për vendim dhe vazhdon punimet duke kryer masakër mjedisore”, thuhet në njërën prej tyre.

Banorët e tre fshatrave kanë vite që protestojnë pasi sipas tyre projekti i ndërtimit të këtij hidrocentrali dhe i fabrikës, i lë ata pa ujë.

 Sipas banorëve në 30 vjet vkëto fshatra vetëm kanë degraduar dhe e vetmja që gjë i mban është uji.

Në shtator të vitit të kaluar Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë ka pranuar padinë e 166 banoreve duke vendosur bllokimin e punimeve derisa çështja të gjykohet në themel. Mirëpo ndërkohë që çështja mbetet gjykatave dhe nuk ka një vendim të formës së prerë, kompania nuk humb kohë për të bërë punime në kundërshtim me ligjin.