Rreth 10,000 emigrantë që kishin mbërritur në Britaninë e Madhe me gomone në 4 muajt e fundit, kanë përfituar amnisti nga ligji i ri strikt për emigrantët.
Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman, kishte thënë më parë se çdo emigrant që ka mbërritur që nga marsi në rrugë joligjore, si me gomone përgjatë Kanalit, do të ndalohet të bëjë kërkesë për azil.
Por teksa ligji nuk është miratuar ende dhe duhet kohë derisa të gjejë zbatim, ai do të zbatohet vetëm për emigrantët që arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar pasi legjislacioni të miratohet.
Shifrat zyrtare tregojnë se 9,622 emigrantë mbërritën me gomone që prej muajit mars në Angli.
Kjo amnisti do të thotë se tani këta emigrantë do të jenë në gjendje të kërkojnë azil sipas rregullave ekzistuese dhe shumica e tyre, ka gjasa të qëndrojnë në Britani për një kohë të pacaktuar.