Në Apelin e Posaçëm po mbahet këtë të mërkurë seanca ndaj Laert Haxhiut, me këtë të fundit që kundërshton dënimin përjetë në lidhje me “Masakrën e Lushnjes”, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2017, ku dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur.
I pranishëm në sallën e gjyqit është edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili është shprehur se vendimi i shkallës së parë është i drejtë dhe duhet lënë në fuqi.
“Vendimi i shkallës së parë është i drejtë, ndaj duhet lënë në fuqi. Sa i takon zbatimit të ligjit, ne gjykojmë se është vendim i drejtë. Sa i takon kerkesës për ricelje të gjykimit, gjykata me të drejtë e ka rrëzuar”– tha thënë Altin Dumani.
Kujtojmë se në atë që njihet si “Masakra e Lushnjës”, mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa të plagosur Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.
Haxhiu u dënua për disa akuza, përfshirë “Grup i strukturuar kriminal,” “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale,” “Vrasje në rrethana cilësuese,” “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve,” si dhe “Prishja e rendit publik.”