La Sapienza nderon Ilaria Sulën, një sallë e universitetit merr emrin e studentes shqiptare

Një prej sallave në Universitetin e La Sapienza në Romë do të ketë emrin e Ilaria Sulës, 22 vjeçares e cila u vra me thikë nga ish-i dashuri i saj, Mark Samson me origjinë nga Filipina.

Në ceremoninë solemne që univeristeti organizoi për të nderuar emrin e studentes shqiptare morën pjesë prindërit dhe vëllai i saj.

“Hapësirat e reja të studimit brenda Godinës së Teatrit të Ri Universitar i janë kushtuar Ilaria Sulës. Me rastin e 722-vjetorit të themelimit të Studium Urbis, sot janë inauguruar tre hapësira të reja studimi, duke përfshirë Bibliotekën e re të Jurisprudencës, Sallën Montessori në Godinën e Mineralogjisë dhe Hapësirat e Studimit Ilaria Sula,” thuhet në njoftimin e universitetit.

Një pllakë përkujtimore është vendosur në hapësirën e studimit të dedikuar, ku shkruhet:

“Për Ilaria Sula, studente e Sapienza. Që të mos harrojmë të gjitha gratë viktima të femicideve, e ardhmja e të cilave nuk mund të shkruhet më”.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më datë 25 mars në banesën e ish-të dashurit të Ilarias. 23 vjeçari Samson, pasi e goditi tre herë me thikë në banesën e tij, e futi trupin e viktimës në një valixhe dhe e hodhi në një zonë pyjore jashtë Romës. Në këtë krim ka bashkëpunuar edhe e ëma e 23 vjeçarit, e cila ka fshirë njollat e gjakut në dhomën ku ndodhi ngjarja e rëndë.