Ky është plani me 28 pika i Donald Trump për Rusinë dhe Ukrainën

Presidenti amerikan Donald Trump i ka paraqitur Rusisë dhe Ukrainës një plan me 28 pikë, pë rt’i dhënë fund luftës mes këtyre shteteve.

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se propozimi amerikan prej 28 pikash për paqen në Ukrainë mund të shërbejë si bazë për një marrëveshje përfundimtare, edhe pse ka paralajmëruar se Rusia do të vijojë përparimin ushtarak nëse Kievi e refuzon.

Plani i hartuar nga administrata amerikane, parashikon një sërë masash të ndjeshme, përfshirë kufizimin e ushtrisë ukrainase, garanci sigurie nga SHBA, heqje graduale të sanksioneve ndaj Rusisë, njohje “de facto” të disa territoreve të pushtuara nga Moska, ndalim të hyrjes së Ukrainës në NATO dhe krijimin e një Këshilli Paqeje të udhëhequr nga presidenti Donald Trump.

Kievi ndërkohë e cilëson propozimin të papranueshëm, duke argumentuar se i cenon sovranitetin dhe interesat strategjike të vendit. Pavarësisht kritikave, plani shihet nga disa diplomatë si përpjekja më serioze deri tani për mbylljen e luftës, megjithëse me kosto politike dhe territoriale shumë të larta për Ukrainën.

Këto janë 28 pikat e plota të planit amerikan të dorëzuar Ukrainës:

  1. Konfirmimi i sovranitetit të Ukrainës.
  2. Nënshkrimi i një marrëveshjeje të gjerë pa-agresioni midis Rusisë, Ukrainës dhe Evropës.
  3. Detyrimi që Rusia të mos pushtojë vende fqinje dhe që NATO të mos zgjerohet më tej.
  4. Krijimi i dialogut të drejtpërdrejtë Rusi–NATO, me ndërmjetësim amerikan.
  5. Ukrainës t’i garantohen masa sigurie nga SHBA.
  6. Ushtria ukrainase të kufizohet në 600 mijë efektivë.
  7. Ukraina të shkruajë në kushtetutë se nuk hyn në NATO; NATO ta bëjë të njëjtën në statut.
  8. NATO të mos vendosë trupa në territorin ukrainas.
  9. Vendosja e avionëve luftarakë evropianë në Poloni për të garantuar balancë sigurie.
  10. Kuadri i garancisë amerikane, që përfshin kompensim financiar, sanksione automatike ndaj Rusisë në rast shkeljesh dhe humbjen e garancisë nga Ukraina nëse përdor forcë të pajustifikuar.
  11. Aftësimi i Ukrainës për anëtarësim në BE dhe hyrje preferenciale në tregun europian.
  12. Paketë e madhe ndërkombëtare rindërtimi dhe investimesh në Ukrainë.
  13. Reintegrimi gradual i Rusisë në ekonominë globale dhe rikthimi i saj në G8.
  14. Shfrytëzimi i fondeve të ngrira ruse për rindërtimin e Ukrainës dhe projekte të përbashkëta SHBA–Rusi.
  15. Krijimi i një grupi pune sigurie midis SHBA dhe Rusisë.
  16. Rusia të kodifikojë ligjërisht politikën e mos-agresionit ndaj Ukrainës dhe Evropës.
  17. Zgjerimi i traktateve Rusi–SHBA për kontrollin e armëve.
  18. Ukraina të ruajë statusin e saj si shtet pa armë bërthamore.
  19. Centrali i Zaporizhzhias të operojë nën mbikëqyrjen e IAEA-s dhe ndarja e energjisë të bëhet 50-50 me Rusinë.
  20. Programe arsimore e kulturore për tolerancë dhe eliminimin e ideologjive ekstremiste.
  21. Njohja “de facto” e Krimesë, Luhanskut dhe Donetsk-ut si territor rus; ngrirja e vijave të kontaktit në Kherson e Zaporizhzhia; krijimi i zonës neutrale.
  22. Asnjë palë nuk do të ndryshojë kufijtë me forcë pas marrëveshjes.
  23. Marrëveshje për lirinë e transportit në lumin Dnipro dhe sigurinë e korridoreve të grurit në Detin e Zi.
  24. Shkëmbimi i të gjithë të burgosurve dhe kthimi i civilëve e fëmijëve të zhvendosur.
  25. Mbajtja e zgjedhjeve në Ukrainë brenda 100 ditëve pas marrëveshjes.
  26. Amnisti e plotë për veprimet e kryera gjatë luftës nga të gjitha palët.
  27. Zbatimi i marrëveshjes të mbikëqyret nga një Këshill Paqeje i udhëhequr nga Donald J. Trump.
  28. Armëpushim i menjëhershëm pas tërheqjes së forcave në pozicionet e dakorduara.