Pavarësisht investimeve të pakursyera në teknologji, parlamenti shqiptar nuk ka mundur të ofrojë as akses dhe as transparencë për publikun apo grupet e interesit. Ekspertët sugjerojë se ky institucioninështë ende larg standardeve europiane dhe e pret një rrugë të gjatë në këtë drejtim.
Autor: Artan Rama | Citizens.al
Në sallën “Vienna” në Hotel Rogner, në zemër të bulevardit kryesor të Tiranës, pranë të cilit ndodhen ndërtesat më të rëndësishme qeveritare dhe disa përfaqësi të huaja, pak kohë më parë u mbajt diskutimi politik i radhës. Është një ditë e zakonshme pune në një nga dymbëdhjetë mjediset e mbyllura të hotelit luksoz, që në tridhjetë vjet jetë, qysh prej daljes së Shqipërisë nga dara e izolimit komunist, janë mbushur me konferenca, mbledhje, seminare dhe me leksione të panumërta demokracie. Takimi i takon Kuvendit; tema: “Kodi i Sjelljes, Transparenca dhe Llogaridhënia”.
Pjesëmarrësit, përfaqësues të lartë dhe anëtarë të Kuvendit, krahas shoqërisë civile dhe medias, janë ulur pranë për të ndarë përvojat me njëri-tjetrin, por njëkohësisht të kujdesshëm për të përdorur një gjuhë politikisht korrekte. Nuk është shumë e qartë se në ç’përmasa perceptohet problemi në sytë e diplomatëve të huaj që ndodhen në sallë.
“Përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare i vlerësojnë deputetët nga integriteti politik që tregojnë, kryesisht, në vendimmarrje”, – thotë Drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi. Sipas Krasniqit, faktori ndërkombëtar zgjedh që të bashkëpunojë me deputetë të moderuar e mendjehapur, me të cilët mban kontakte të vazhdueshme.
Një tjetër tryezë gjatë muajit qershor, u organizua për transparencën nga Instituti Demokratik Amerikan (NDI), këtë radhë në mjediset e brendshme të Kuvendit. Çështjet e transparencës dhe të llogaridhënies kanë të bëjnë me të drejtën e çdo qytetari të Republikës për t’u njohur me të dhëna, të cilat konsiderohen “publike”. Dhe “e tillë” është gjithçka që prodhohet prej autoriteteve.
Ekzistenca e një ligji të mirë për aksesin në informacionin publik nuk është diçka e re për Shqipërinë. Por, si përherë, puna çalon në zbatim. Komisioneri për të Drejtën për Informim dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka regjistruar një praktikë të varfër gjatë dy mandateve në detyrë, me një vendimmarrje të ulët, krahasuar me ankesat e shumta, që vijnë në rritje.
Kuvendi ka ndërtuar një web të ri dhe me të drejtë, administrata e tij krenohet për këtë. Mbledhjet nëpër komisione mund t’i ndjekësh online dhe informacioni ruhet në një arkivë digjitale, e aksesueshme edhe për shumë ditë të tjera, pasi është regjistruar. Njëherazi, disa dyzina dokumentesh dhe raportesh, herë të përditësuara (por herë jo), mbushin menytë kryesore dhe mund të arrihen lehtësisht nga publiku.
“Nëse e krahasojmë Kuvendin me të shkuarën e tij, sot ka më shumë informacion dhe standarde transparence”, – pranon Krasniqi. Por sipas tij, evoluimi është produkt i kohës e jo i pjekurisë së parlamentit. “Krahasimisht, parlamenti shqiptar është ende larg standardeve evropiane, i pakrahasueshëm me çdo vend tjetër të BE-së”, – përfundon ai.
Platforma online “inekzistente“
Në prill Kuvendi njoftoi çeljen e konsultimeve për monitorimin dhe mbikqyrjen e punës së institucioneve të pavarura kushtetuese. Puna e institucioneve të pavarura u vu në dispozicion të publikut përmes Platformës së Konsultimit, një adresë online, ku krahas organizatave dhe palëve të interesit, mund të jepnin komentet e tyre edhe qytetarët. Por platforma çaloi dhe shpesh dilte jashtë funksionit. Në përgjigje të kritikave për mosfunksionimin e rregullt të saj, Kuvendi aktivizoi edhe emailin zyrtar, në një përpjekje për të tërhequr komentet nga jashtë dhe e zgjeroi afatin e konsultimit në Platformë, duke e shtyrë atë disa herë (i fundit në 17 maj), për shkak të mungesës së interesit prej publikut. Por në rreth një muaj e gjysmë, ndërhyrjet në Platformë ishin, pothuajse inekzistente, me përjashtim të një rasti të vetëm, që i drejtohej punës së Komisionerit për të Drejtën për Informim dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ndërkohë që numri i komenteve në emailin zyrtar nuk u bë publik. Më pas, nëpër komisioneve, shumë pak komente u përfshinë në diskutime prej relatorëve.
“Kemi menduar të ngremë pjesëmarrjen duke rritur dëshirën për transparencë”, – deklaroi Kryetarja e Kuvendit Znj. Nikolla, në Sallën “Vjenna” në Hotel Rogner.
Nuk është shumë e qartë se në ç’mënyrë do të ngrihet pjesëmarrja; si mund të rritet dëshira për transparencë? Kuvendi nuk ka një plan veprimi për rritjen e transparencës. Por Nikolla është e vendosur që të ecë përpara, duke ngarkuar në faqen online të Kuvendit më shumë dokumente. Në 29 mars ajo nënshkroi Deklaratën e Transparencës: një tjetër angazhim për hapje; një premtim i ri, tashmë në formën e një gjysmëfaqeje virtuale kompjuteri.
Lefteri Luzi, Drejtori i Shërbimeve të Komisioneve Parlamentare bie dakort se platforma ka mangësi dhe se ka nevojë që të përmirësohet, teknikisht, por sqaron se Platforma nuk është mënyra e vetme e komunikimit me grupet e interesit. Sipas saj nuk duhen harruar emailet dhe shpërndarja e materialeve edhe nëpërmjet tyre. Në fakt, numri i organizatave lobiste dhe atyre të shoqërisë civile të cilat janë regjistruar në regjistrin elektronik të Kuvendit janë rreth 80 secila, ndërkohë që numri i përgjithshëm i organizatave të regjistruara në gjykatë, në rang Republike, shkon rreth 12,600 (2024). Atëherë, si shpjegohet kjo pjesëmarrje e papërfillshme?!
“Sipas anketave të fundit, Kuvendi është institucioni më pak i besueshëm”, – thotë Lutfi Dervishi. Për gazetarin kjo e ka një arsye, pasi sipas tij, Kuvendi ka mbajtur qëndrime të njëanshme, duke treguar se është një instrument i partive dhe jo për të bërë ligje në interes të shumicës së shqiptarëve.
Një tjetër raport është hedhur në faqen e konsultimit dhe pritet që të miratohet nga Byroja. Kuvendi mund të krenohej vetëm me titullin: “Pjesëmarrja e publikut në procesin vendimmarrës”; 77 faqe. Vetëm 8% e amendamenteve të miratuara janë propozuar nga organizatat apo grupet e interesit, por nuk përmendet asgjë konkrete se cilat janë ato; cilave ligje u përkasin, cilat organizata u përfshinë etj. Vetëm statistika! Ato me bazë gjinore me shumicë. Një titull më i përshtatshëm do të ishte: “Statistika në vendimmarrje”. Rrallëkush mund të tregojë interes për statistika, nëse pas tyre nuk qëndrojnë ngjarje apo probleme konkrete. Raporti nuk na tregon më shumë se një pako të dhënash, ku, dukshëm, mungon publiku. Si mund të kuptojë dikush, nëse të dhënat e ofruara në raport janë mirë apo keq?!
“Pavarësisht statistikave për përfshirjen e publikut në procesin legjislativ, kjo përfshirje në realitet është e vogël, sporadike dhe pa impakt në vendimmarrjen parlamentare”, – konstaton gazetarja Blerina Gjoka, nga BIRN Albania, e cila mbulon, prej vitesh, punën e Kuvendit. Në një përpjekje për të treguar vullnetin e vërtetë të institucionit legjislativ ajo e kritikon Kuvendin se konsultimi publik përdoret si vitrinë transparence, por jo si një tregues real për ndikimin e konsultimit në aktet finale që ai miraton.
Vitrina nuk mjafton
Përpjekja për të zbuluar marrëdhënien e vërtetë mes Kuvendit dhe publikut merr kohë. Asnjë faqe nuk shkëlqen më shumë, sesa faqja online e Kuvendit të Shqipërisë, por vitrina nuk mjafton! Ndonëse numri i dokumenteve të ngarkuara është i lartë dhe titujt janë mbresëlënës, brenda tyre mungojnë të dhëna të vlefshme. Një pjesë e këtyre dokumenteve mbeten të papërditësuara. Për gazetarët dhe median në përgjithësi, metodat klasike të marrjes së informacionit, nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta dhe telefonatave, qëndrojnë ende në fuqi. Zhvillimi teknologjik u shërben atyre që e administrojnë, por jo atyre për të cilët u krijua t’u shërbejë.
E dhënë pas statistikave dhe metodologjive të eksportuara nga studime të gatshme, administrata e Kuvendit ka humbur fokusin dhe nuk arrin që të shohë thelbin e problemit. Ndonëse rritja e pjesëmarrjes qytetare përbën një objektiv strategjik, Kuvendi nuk ka asnjë plan konkret për realizimin e këtij objektivi, të paktën deri në 2025, kur një tjetër strategji e përditësuar, duhet të ngarkohet në faqe.
Shqyrtimi i veprimtarisë së institucioneve të pavarura që nisi në prill, në platformën online të konsultimeve publike u mbyll me vetëm një ndërhyrje. “Fati” i takoi Komisionerit për të Drejtën për Informim. Natyrisht, jo fare rastësisht. Por çuditërisht, as kjo ndërhyrje nuk u përftua nga sekretaria e komisionit përgjegjës (Komisioni i Ligjeve). “Manuali i pjesëmarrjes së publikut” thotë të kundërtën: “…komisioni ka detyrimin të paraqesë në mënyrë të përmbledhur opinionet dhe sugjerimet e grupeve të interesit…”. Por komisioni nuk reflektoi asnjë opinion, asnjë sugjerim. Mungesa e një motivi pas këtij veprimi e bën edhe më të vështirë të kuptuarit e kësaj mbyllje.
Të gjithë bien dakord se veprimtaria e Kuvendit reflekton një vullnet politik dhe se është mazhoranca që përcakton drejtimin e tij. Pra, zgjidhja duhet të kërkohet brenda këtij vullneti. Nën këtë premisë pyetja që shtrohet është, se në ç’mënyrë mund të arrihet kjo gjë, ku mazhoranca të ushtrojë vullnetin e saj dhe njëkohësisht Kuvendi ta kontrollojë atë përmes një pjesëmarrjeje publike të gjerë?
“Nuk ka një zgjidhje deus ex machina”, – shprehet i bindur Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike, që mbikqyr prej vitesh aktivitetin politik të institucioneve dhe veprimtarinë e grupeve partiake. Ai mendon se zgjidhja do të vijë nëpërmjet demokratizimit të partive dhe maturimit të sistemit përfaqësues politik.
Nëse mendojmë të njëjtën gjë, është e qartë se kujt i takon përgjegjësia.