Kuvendi miraton ‘me dhunë’ gjatë natës 3 projektligjet e diskutueshme; për kanabisin, studentët e Mjekësisë dhe Akademinë e Shkencave

Më gjithë kundërshtitë që hasën nga opozita, maxhoranca ka arritur të miratojë në orët e para të ditës së sotme tre projektligjet për kanabisin, për studentët e Mjekësisë, dhe për zgjatjen e mandatit të kryetarit të Akademisë së Shkencave.

Edhe pse PD kërkonte dje në seancën e fundit të Kuvendit për këtë sesion, që të diskutohej çështja e inceneratorëve, PS u tregua e vendosur dhe deputetët pritën deri pas mesnate për të votuar projektligjet.

Kujtojmë se ditën e djeshme studentët e Mjekësisë u ngritën në protestë për të penguar pikërisht që të miratohej ligji që u mban diplomat 5 vite pas përfundimit, mirëpo parlamenti duket se e kishte me ngut.

Seanca maratonë zgjati rreth 18 orë pasi nisi që në orën 10:00 të mëngjesit të djeshëm dhe përfundoi gati në orën 5:00 të mëngjesit të sotëm. Prezentë në proces votimi ishin 95 deputetë të pranishëm.

Kuvendi miratoi me 71 vota pro dhe 23 kundër projektligjin “Për trajtimin e veçantë të studenteve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”.

Po ashtu, Kuvendimiratoi me 69 vota pro, 3 abstenime dhe 23 kundër Projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”. Ky ligj ka patur shumë kundërshtime nga opozita po ashtu edhe nga institucionet e Bashkimit Europian. Tre votat abstenuese u përkisnin deputetëve socialistë Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe.

Kuvendi gjithashtu miratoi me 70 vota pro, 23 kundër dhe 2 abstenime edhe pr. Ligjin për Akademinë e Shkencave. Kryetarit do t’i lejohet një mandat i dytë si dhe hiqet kufizimi i moshës 75 vjeç. Ky projektligj u propozua nga dy deputetë socialist posaçërisht për t’i dhënë një tjetër mandat Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave.

Ligjet dhe aktet normative të miratura gjatë seancës së fundit plenare të këtij sesioni parlamentar.

-Akt normativ nr. 2, datë 7.6.2023 “Për disa shtesa në ligjin nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”” (89 vota pro 4 abstenim 0 kundër)

-Akt normativ nr. 3, datë 21.6.2023 “Për disa ndryshime në aktin normativ nr.1, datë 20.3.2019, të -Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut (UNMISS)”, miratuar me ligjin nr. 23/2019” (95 pro, 0 kundër)

-Akt normativ nr. 4, datë 21.6.2023 “Për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Abyei (UNISFA)” (94 vota pro, 1 abstenim)

– Projektligj “Për trajtimin e veçantë të studenteve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë” (71 pro, 23 kundër)

-Projektligj “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale (69 pro, 23 kundër, 3 abstenim)

-Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë”” (72 pro, 22 kundër dhe 1 abstenim)

-Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizimit”, të ndryshuar (74 pro, 20 kundër, 1 abstenim)

-Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar  (84 pro, 4 kundër, 3 abstenim)

-Projektligj “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara” (71 pro, 23 kundër, 0 abstenim)

-Projektligj “Për një ndryshim dhe disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore””, i ndryshuar  (72 pro, 17 kundër, 1 abstenim)

-Projektligji për disa ndryshime në ligjin për “Akademinë e Shkencave” ( 70 pro, 23 kundër, 2 abstenim)