Kuvendi miratoi ligjet pa u plotësuar kuorumi, grupi i PD kërkesë Nikollës: Të shpallet i pavlefshëm votimi

Grupi Parlamentar i PD, i ka bërë kërkesë kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla që të deklarojë të pavlefshëm votimin e projektligjeve në seancën e sotme, për shkak se nuk ishte plotësuar kuorumi i nevojshëm.

Shkresa mban firmën e kreut të grupit, Gazment Bardhi, e cila i është dërguar për dijeni edhe presidentit Bajram Begaj.

Në shkresë, argumentohet fakti se votimi është kryer në shkelje të Kushtetutës, pasi nuk është garantuar kuorumi i nevojshëm.

Rikujtojmë se një skandal i madh ka ndodhur në seancën plenare të ditës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë, ku nënkryetarja Ermonela Felaj ka miratuar ligjet e propozuara nga mazhoranca pa u plotësuar kuorumi i nevojshëm i deputetëve, mes tyre edhe ai për investimet strategjike.