Kuvendi i rikthehet punës/ Sot nis legjislatura e XI-të, 72 deputetë hyjnë për herë të parë

Të premten, në orën 10:00, nis legjislatura e XI-të e Kuvendit të Shqipërisë, e dalë nga zgjedhjet e përgjitshme parlamentare të 11 majit.

Në seancën konstituive do të ulen 140 deputetë, prej të cilëve 72 janë të rinj në Kuvend.

Partia Socialiste ka siguruar 83 mandate, PD dhe aleatët 50, PSD 3, partia Mundësia 2, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një deputet

Seanca pritet të hapet nga deputeti i Partisë Socialiste Vasil Llajo, pas refuzimit të Sali Berishës dhe Tritan Shehut për ta drejtuar si më të moshuarit.

Pas ngritjes së komisionit për verifikimi të mandateve dhe betimit të deputetëve, mazhoranca pritet të propozojë Niko Peleshin si kryetar të Kuvendit.

Votimi do të zhvillohet me fletë dhe kuti.

Sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës do të emërojë kryeministrin me propozim të shumicës, ndërsa Edi Rama pritet të paraqesë brenda 10 ditësh programin dhe kabinetin e ri qeveritar, të shpallur një ditë më parë.

Në këtë legjislaturë ka shumë figura të reja në PS, ndërsa opozita rikthen emra të njohur si  Jozefina Topalli, Gent Strazimiri, Bardh Spahia dhe Igli Cara.