Kuvendi i jep 500 mijë euro komisionit të Xhafajt, pagat e ekspertëve deri në 8 mijë euro

Byroja e Kuvendit të Shqipërisë do t’i japë 500 mijë euro komisionit të Antikorrupsionit që drejtohet nga ish-ministri Fatmir Xhafaj. Ka qenë ky i fundit që i ka kërkuar shumën duke paraqitur një listë me 91 ekspertë, që do të kenë 3 nivele pagash, e që shkojnë deri në 8 mijë euro.

Do të jenë 30 ekspertë të nivelit të lartë që do të pagohen 8 mijë euro secili. Niveli i dytë, ku bëjnë pjesë 11 ekspëertë do ta marrin nga 2 paga të një këshilltari në Kuvend, ose 5 600 euro.

Ndërkohë mësohet se 12 ekspertë të nivelit të tretë dhe sekretariati teknik i përbërë nga 15 vetë do të marrin 2800 euro për punën pranë këtij komisioni.

Por lista nuk përfundon këtu. Pasi pjesë e këtij komisioni janë edhe ata që konsiderohen si “ekspertë të huaj”. Janë 23 të tillë që do të paguhen 5600 euro secili.

Kujtojmë se opozita i ka bojkotuar mbledhjet e këtij komisioni, pasi e cilëson si një lëvizje të mazhorancës për të ndërhyrë në punën e SPAK, pas arrestimeve që Prokuroria e Posaçme ka bërë në radhët e socialistëve.

Edhe institucionet e drejtësisë i thanë “Jo” këtij komisioni, por për Xhafajn nuk ishte një refuzim nga ana e tyre.